Ndërlidhjet

Të sanksionohen aktet penale në veri


Aktet e dhunshme në veri të Kosovës ndaj transmetuesve të kompanive kosovare të telefonisë janë vepra penale dhe pa mëdyshje ato duhet të sanksionohen, thonë përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë.



Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës rrezikojnë ta eskalojnë situatën dhe ta prishin edhe më tutje qetësinë e brishtë, e cila ka mbretëruar në këtë hapësirë, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.

Këto vlerësime vijnë pak ditë pas sulmit në Gazivodë të Zubin Potokut ndaj transmetuesit të kompanisë mobile Ipko, i cili, siç ka njoftuar Policia e Kosovës, ishte rasti i pestë i asgjësimit dhe dëmtimit të instalimeve publike dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Policia e Kosovës, këto sulme i ka cilësuar si vepra kriminale.

Rangjell Nojkiq, njëri prej liderëve të serbëve të Kosovës, thotë se aktet e tilla, që kanë ndodhur në veri, janë të papranueshme, pavarësisht se ato kanë qenë, siç thotë ai, të provokuara nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit të Kosovës, i cili ka eliminuar operatorët serbë të telefonisë në Kosovën qendrore.

“Dhuna e çfarëdo lloji e ka peshën e saj. Në këtë rast kemi të bëjmë me shkatërrimin e pajisjeve dhe normalisht që këtë nuk e miratoj. Kjo është vepër penale dhe pa mëdyshje duhet të sanksionohet. Mendoj se askush që është i mençur, nuk do t’i miratonte veprimet e tilla”, thotë Nojkiq.

Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb në veriun e Kosovës, vlerëson se sulmet ndaj antenave të telefonisë në veri të Kosovës, krijojnë dilemën se a janë ato vetëm reagim i serbëve apo, siç thotë ai, ndonjë skenar i përgatitur për fajësimin e serbëve.

“Kjo që ka ndodhur në veri, mund të jetë vetëm pasojë. Paksa mbetet e paqartë, sepse, ashtu sikurse tash e 11 vjet në Kosovë, iniciatorët e vendosjes së mjeteve eksploduese nuk janë gjetur. Por, kjo tashmë merret si çështje e zgjidhur për institucionet e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare”, thotë Ivanoviq.

Ai i konsideron si akte kriminale hedhjet në erë me eksploziv të antenave të Ipko-s dhe Vala-s në veri të Kosovës, por si të tilla i quan edhe veprimet e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

“Të gjitha këto janë akte shumë të rrezikshme, të cilat mund të nxisin edhe destabilizim më të gjerë. Më duket se ky edhe është qëllimi dhe dëshira e tyre, që me aksione të tilla, të cilat kanë për qëllim t’i bllokojnë liritë e serbëve, të provokojnë destabilizim të gjerë dhe në fund t’i akuzojnë serbët”, deklaron Ivanoviq.

Ndërkaq, Nojkiq thotë se duhet gjetur mënyra që zhvillimeve, siç i quan ai, negative, t’iu ndërpritet hovi. Në të kundërtën, sipas tij, gjendja mund të përkeqësohet.

“Nëse kjo situatë do të vazhdojë, do të ketë për pasojë nxitjen e një situate tjetër, shumë më të rëndë sesa kjo që është tani, dhe mund t’i përkeqësojë marrëdhëniet, të cilat kanë qenë në një fazë të qetësimit, sepse nuk ka pasur eksese të mëdha”.

“Mendoj se kushdo, që në mënyrë jolegjitime është përpjekur ta zgjidhë këtë problem, duhet të sanksionohet, sepse mund të nxisë pasoja shumë më të rënda sesa ato çfarë janë tash”
, thekson Nojkiq.
XS
SM
MD
LG