Ndërlidhjet

logo-print

Haradinaj: Kosova udhëhiqet nga institucione të korruptuara...


Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Kosova e pavarur “udhëhiqet nga institucione të korruptuara e të komprometuara”. Ai, megjithatë, u shpreh optimist dhe tha se ka ende shpresë për ta nxjerrë vendin nga gjendja e rëndë.



Kritika për mënyrën e udhëheqjes së vendit u janë drejtuar partive në pushtet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Krerët e kësaj partie, që sot shënoi 10-vjetorin e themelimit, kanë alarmuar se Kosova po udhëhiqet nga institucione të korruptuara.

Por, me gjithë vërejtjet për gjendjen aktuale në vend, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur optimist, duke thënë se ende ka shpresë për ta nxjerrë vendin nga gjendja e rëndë.

“Si është politika sot dhe si është Kosova sot? Kosova e pavarur udhëhiqet nga institucione të korruptuara dhe të komprometuara. Vetvetiu, misioni ynë është për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja, në të cilën e kanë sjellë institucionet e sotme”.

“Ky mision mund t’i bashkojë Aleancën, shoqërinë civile, njerëzit e politikës, qytetarët e vendit, miqtë, të cilët besojnë se Kosova ende është tregim i suksesit”
, ka thënë Haradinaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila për nga votat e marra në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, është kthyer si forca e tretë në skenën politike, ka vënë në pah se Kosova, dy vjet pas pavarësisë, përballet me probleme dhe se “është larg të qenët shtet stabil dhe i qëndrueshëm”.

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala, ka thënë se pritjet që Kosova të bëhej një shtet që do ta ndreqte atë që ishte prishur në historinë e re të Kosovës, nuk janë përmbushur.

“Me udhëheqësinë e sotme që ka, Republika e Kosovës po bashkëjeton gati me të gjitha problemet që i ka trashëguar ky shtet: akoma jemi pa integritet territorial, pa kufijtë e kontrolluar në veri të vendit, pa Rend Kushtetues dhe Ligjor në një të pestën e Kosovës, pa perspektivë të qartë ndërkombëtare, pa një udhërrëfyes për të hyrë në Paktin NATO dhe në BE, pa një plan të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik që do të përmirësonte jetën e çdo qytetari”.

“Qytetarët e Kosovës, sipas të gjitha analizave dhe statistikave, sot jetojnë më keq se para disa vjetësh. Ata janë sot më të pakënaqur sesa në vitet kur prisnin që Kosova të bëhej shtet”
, ka thënë Shala.

Krerët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se i kanë vënë mision vetes që ta ndryshojnë këtë gjendje dhe, siç është shprehur Shala, “zhgënjimin e sotëm të qytetarëve ta tejkalojnë me një mobilizim të të gjithë atyre që kanë dije, kanë guxim, kanë organizim dhe vullnet, për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm, ekonomikisht të zhvilluar, me mirëqenie sociale, me cilësitë e kërkuara për të arritur sa më parë në Bashkimin Evropian”.
XS
SM
MD
LG