Ndërlidhjet

Nju Jork: Policia në kërkim të një të dyshuari për makinën-bombë



Policia e Nju Jorkut raporton se po studion kamerat mbikqyrëse në Tajms Skueër

(Times Square) për të gjetur personin, i cili besohet të jetë i përfshirë në rastin e makinës me lëndë shpërthyese. Kjo e fundit u gjet të shtunën nga policia e Nju Jorkut, e cila pengoi dhe shpërthimin, që do të kishte qenë me pasoja të rënda.

Komisioneri i policisë, Rajmond Kelli, tha se policia po kërkon “një burrë të bardhë rreth të 40-ave”, që ishte filmuar në zonën ku ishte makina.

Kelli shtoi se nuk ka prova që të mbështesin pretendimin e talibanëve pakistanezë se militantët kanë vendosur bombën në Nju Jork, por theksoi se në rast shpërthimi do të kishte pasur viktima.

“Nëse do të kishte shpërthyer, sipas vlerësimit tim do të kishte shkaktuar viktima dhe një lëmsh të madh zjarri. Jam informuar se makina do të ishte ndarë përgjysmë. Ka shumë këmbësorë në zonën ku u gjet makina dhe ishim me fat që nuk shpërtheu”, tha komisioneri i policisë së Nju Jorkut.

Sekretarja amerikane për Sigurinë Kombëtare, Xhenet Napolitano, tha se zyrtasrët po hetonion pistën e “një sulmi të mundshëm terrorist”, por nuk saktësoi nëse ishte organizuar brenda vendit apo kishte lidhje me Al Kaidën ose grupe të tjera të huaja.
XS
SM
MD
LG