Ndërlidhjet

WP: “Diplomacisë së Obamës i mungon përfshirja e plotë”


Presidenti Barak Obama

Presidenti Barak Obama

“Washington Post”

Politika e jashtme e Barak Obamës është përcaktuar nga përpjekjet e tij për të komunikuar me kundërshtarët apo rivalët e Shteteve të Bashkuara. Kujtojmë këtu Ajatullah Ali Homeinin në Iran, apo Dimitri Medvedevin në Rusi.

Rezultatet e këtyre përpjekjeve kanë qenë të përziera. Por, tani, fokusi i presidentit po zhvendoset. Në 18 muajt e ardhshëm, vlerësimi për politikën e jashtme të Obamës do të bazohet nga mënyra se si do t’i adresohet presidentit afgan, Hamid Karzai, dhe Benjamin Netajahut, kryeministrit izraelit.

Të dy mund të klasifikohen si aleatë të Shteteve të Bashkuara.

Karzai është shndërruar në problemin më të vështirë për çuarjen përpara të strategjisë Obama në Afganistan. Fare mirë roli i Karazait mund të përmblidhet në fjalinë “nuk mund të fitojmë me të, nuk mund të fitojmë as pa të”.

Nga ana tjetër, kryeministri i Izraelit mban çelësat e pranimit apo jo të shtetit palestinez nga ana e izraelitëve brenda afatit dyvjeçar, të përcaktuar nga administrata Obama.

Të dy, si Karzai, edhe Netanjahu, krijojnë shqetësime dhe janë bërë të vështirë për t’u kuptuar, duke kundërshtuar elementet kyçe të politikave të Obamës.

Njëherësh, të dy e dinë se karrierat e tyre varen nga shkalla e mbështetjes që marrin nga Shtetet e Bashkuara. Por, qasja ndaj tyre kërkon aftësi dhe një diplomaci të kujdesshme nga presidenti amerikan dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë drejtim, Obama nuk ka punuar si duhet. Mënyra se si presidenti Obama trajtoi presidentin afgan dhe kryeministrin izraelit gjatë marsit, shënoi pikën më të ulët të Obamës si president.

Së pari, Obama filloi një betejë të pakuptimtë me Netanjahun rreth ndërtimeve hebreje në Jerusalemin Lindor. Presidenti amerikan bëri kërkesën boshe që të ndërpriteshin plotësisht ndërtimet në Jerusalem.

Pak ditë më vonë, Obama udhëtoi drejt Kbaulit, ku, duke cituar këshilltarin e tij për siguri kombëtare, Xhejms Xhons, presidenti ishte i pakënaqur me shkallën e ulët të përparimit të bërë në Afganistan, që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë.

Madje, vetë Obama e bëri publike pakënaqësinë gjatë një interviste televizive.

A ishte sjellja e Obamës e motivuar nga suksesi që sapo kishte arritur në reformën shëndetësore? Cilado që të jetë përgjigjja, rezultatet ishin dëshpëruese.

Netanjahu deklaroi pas kërkesës amerikane se të gjitha ndërtimet në Jerusalem do të vazhdojnë. Karzai, nga ana tjetër, priti në Kabul presidentin iranian, Mahmud Ahmadinexhad, ku nuk mungoi retorika e ashpër ndaj ndërhyrjeve të Perëndimit, fjalim që përfundoi me kërcënimet se do t’u bashkohej talibanëve.

Administrata Obama gjatë gjithë muajit të fundit është përpjekur t’i rregullojë pasojat e rrëmujës së krijuar në mars.

Papritmas, Obama ndryshoi qasjen, duke i dërguar një notë falënderimi për pritjen presidentit Karzai dhe duke folur për raportet e posaçme mes SHBA-ve e Izraelit përpara një grupimi pro izraelit.

Por, atë që nuk ka arritur ta bëjë presidenti Obama, e kanë bërë të dërguarit e tij përmes një politike pa zhurmë.

Xhorxh Miçëll, i dërguar në Lindjen e Mesme, dhe Riçard Hollbruk, i dërguar për Afganistanin e Pakistanin, kanë qenë jo pak rezultativë.

Megjithatë, problemet mbeten ende. Karzai vazhdon të mos ketë dëshirë ta luftojë korrupsionin, kurse Netanjahu i ka krahët e lidhur nga koalicioni i tij me partitë e djathta, që nuk e lejojnë të shënojë ndonjë përparim edhe nëse e do një gjë të tillë.

Obama duhet të gjejë mënyrën për t’i vendosur të dy në rrugën e ndryshimeve. Kjo nuk bëhet përmes deklaratave publike. Ajo që mungon, është përfshirja e plotë e vetë presidentit. Për më tepër, Obama e premtoi një gjë të tillë. (i.b.)
XS
SM
MD
LG