Ndërlidhjet

Negociatat e mundshme për çështjet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit nuk përjashtohen nga analistët politikë. Madje, disa nga ta thonë se janë të pashmangshme. Por, dilemat mbeten mbi rezultatet që mund të sjellin bisedimet e tilla.




Analistët politikë në Kosovë mendojnë se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje praktike janë të pashmangshme.

Kohëve të fundit është thënë se komuniteti ndërkombëtar po përgatitet për negociata të reja teknike mes Kosovës e Serbisë.

Analisti Driton Lajçi thotë se vizitat e fundit, që i janë bërë Kosovës nga personalitete të ndryshme ndërkombëtare, por edhe deklaratat e zyrtarëve të misioneve të huaja, që veprojnë në Kosovë, tregojnë se mund të ketë dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është si rezultat i të gjitha vendimeve të organizatave ndërkombëtare, të cilat janë të përfshira në Kosovë. Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian, vizitat e ndryshme të ministrave, si ai i Francës, Italisë, vizitat e përfaqësuesve amerikanë - të gjitha janë me një zë se në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë një kontakt”.

“Kjo nuk do të thotë se bëhet fjalë për negociata politike, mirëpo është një konsensus i bashkësisë ndërkombëtare, që duhet të ketë bashkëpunim, duhet të ketë takime në mes të zyrtarëve të Serbisë dhe Kosovës, por jo për çështje politike”
, thotë Lajçi.

Analisti tjetër, Ismail Hasani, pohon se Kosova dhe Serbia kanë shumë çështje, për të cilat mund të diskutojnë, por jo për statusin e Kosovës.

“Platforma e faktorit ndërkombëtar është që nuk ka rishqyrtim të statusit të Kosovës, nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndërhyrje të tjera të natyrës militare, çka do të thotë se faktori ndërkombëtar tanimë e ka të përpunuar se çka duhet të bëhet në raportet midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Mendoj se kjo është platforma e mjaftueshme, e cila e detyron faktorin ndërkombëtar që t’i përmbahet kësaj agjende në mënyrë rigoroze, në mënyrë që të kontribuohet sa më tepër për problemet e natyrës teknike”
, shprehet Hasani.

Pretendimet e Beogradit se gjatë bisedimeve të mundshme teknike mund të flitet edhe për statusin e Kosovës, analisti Hasani i quan të pamundshme. Ai thotë se shteti i Kosovës tashmë është njohur prej shumicës dërrmuese të shteteve dhe, sipas tij, pavarësia është e pakthyeshme.

“Pas realiteteve të krijuara, Kosova tashmë ka një njohje solide të shteteve. Bisedat, në kuptimin banal të fjalës, për çështjen e statusit, nuk mund të ndodhin, por kjo nuk do të thotë se problemet e tjera që janë të lidhura, që tejkalojnë suazat e negociatave të natyrës teknike, janë të domosdoshme, përfshirë edhe incidentet e fundit, që janë të lidhura me fushën e telekomunikacionit ose problemet e tjera. Vetë gjeografia lidh Kosovën me Serbinë, sepse janë fqinjë të parë”, deklaron Hasani.

Analisti Lajci thotë se Prishtina dhe Beogradi kanë disa çështje pragmatike të interesit të ndërsjellë, për të cilat duhet të bisedojnë.

“Është e pamundur që të mos ketë bisedime teknike, sepse Serbia dhe Kosova kanë shumë pika, për të cilat është e domosdoshme të vijë deri te takimi, siç janë: transporti, telekomunikacioni, fushat e tjera, qarkullimi i mallrave, i njerëzve. Në aspektin fizik janë të paevitueshme, në mënyrë që të lehtësohet jeta e njerëzve, shqiptarëve dhe serbëve”, thotë Lajçi.

Ndryshe, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë këmbëngulur se me Serbinë do të jenë të gatshëm të bisedojnë vetëm në cilësinë e dy shteteve sovrane. Kurse, për zyrtarët e Serbisë, statusi i Kosovës duhet të kthehet kurdoherë në tryezën e bisedimeve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG