Ndërlidhjet

Episodi i dhjetë



Gjykatësi ndërkombëtar, Ferdinando de Mongot, i cili udhëheq seancat gjyqësore kundër liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mungesë të zotit Kurti dhe të avokatit të tij mbrojtës, ka shtyrë seancën gjyqësore për 21 qershor. Kristina Herodes, zëdhënëse e komponentës së drejtësisë në EULEX shpjegon me shumë.

“Sot edhe njëherë trupi gjykues në Gjykaten e Qarkut në Prishtinë ka shtyrë seancën, kësaj radhe për 21 qershor. Kjo shtyrje u bo për shkak se i pandehuri nuk ishte i pranishëm, sikurse edhe avokati mbrojtës. Hapi i ardhshëm i rendësishëm është që të përcaktohet një avokat i ri dhe që i pandehuri të sillet në gjykatë”, tha Kristina Herodes.

Kryesuesi i panelit të gjykatësve Ferdinando de Mongot, në seancën e sotme ka kritikuar Policinë e Kosovës dhe Odën e Avokatëve, duke thënë se kanë dështuar në profesionin e tyre, meqë, siç ka thënë, “nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre etike”.

Por, përfaqësuesit e Odes së Avokatëve dhe Policisë së Kosovës i kanë hedhur poshtë deklaratat e tilla.

Musa Dragusha, kryetari i Odës së Avokatëve, tha se të gjithë avokatët në Kosovë janë të përkushtuar në punën e tyre.

“Avokatët që e ushtrojnë profesionin ligjor në Republikën e Kosovës, janë të vetëdijshëm për veprimet e tyre që t’i shërbejnë drejtësisë në çdo rast, kur ata duhet të veprojnë në procedurat gjyqësore, e në veçanti edhe kur duhet të shërbejnë ex-officio, sa herë të jenë të caktuar nga gjykata”, u shpreh Dragusha.

Dragusha tha gjithashtu se janë në kontakt të vazhdueshëm me EULEX-in, në përpjekje për të gjetur një avokat mbrojtës për Albin Kurtin.

Kurse, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, deklaroi se autoritetet e rendit, që nga fletarresti i parë që kanë pranuar nga gjykata për arrestimin e Albin Kurtit, kanë berë plane dhe përpjekje për arrestimin e tij.

“Ne nuk llogarisim që kemi dështuar, apo që jemi treguar jo efikas. Kemi bërë përpjekje të vazhdueshme dhe në bazë të planeve konkrete dhe urdhëresave që priten të konfirmohen për ndonjë vazhdim eventual të kërkesës për sjelljen e tij para organeve të drejtësisë. Besojmë që do të ketë rezultatet pozitive”, pohoi Kelani.

Gjykatësi Mongot, seancën e sotme e ka filluar duke e konsideruar atë si një telenovelë, duke u thënë të pranishmëve “mirëserdhët në episodin e dhjetë”.

Për këtë gjë, kanë reaguar përfaqësuesit e lëvizjes Vetëvendosje. Njeri prej tyre, Glauk Konjufca, tha se kjo tregon “seriozitetin e gjykatësit Mongot”.

“Kjo tregon se si e konsideron EULEX-i gjithë ketë çka është duke bërë. Atij i duket sikur serialet spanjolle kjo që është duke ndodhur dhe me joseriozitetin më të madh e trajton gjykimin ndaj Albin Kurtit, si një situatë relaksues dhe si një pjesë shumë qesharake të karrierës së vet”.

“Ne mendojmë që EULEX-i vazhdimisht po i zgjat seancat kundër Albin Kurtiti në gjyqin e tij, për arsye se do me çdo kusht ta mbaj të gjallë fletarrestim për Albin Kurtin”,
tha Konjufca.

Zyrtarët e EULEX-i kanë bërë të ditur se nuk do ta ndalin këtë proces gjyqësor, me gjithë mosparaqitjet e Kurtit dhe pamundësisë për ta arrestuar atë.

Ata kanë thënë se të gjitha veprimet janë në bazë të ligjit. Por, Konjufca gjykatësin Ferdinando de Mongot dhe disa të tjerë i ka quajtur jo-etik.

“I vetmi njeri jo-etik në këtë mes është Mongoti dhe një grup zyrtarësh të EULEX-it, të cilët janë për arrestimin e Albin Kurti dhe persekutimin e Vetëvendosjes.”

“Shumica e popullit të Kosovës, madje 175 mijë qytetarë janë për mbylljen e rastit të padrejtë ndaj Albin Kurtiti si dhe për hapjen e hetimeve të pavarura për vrasjet e 10 shkurtit 2007, nga policët rumunë të UNMIK-ut”,
tha Konjufca.

Ndryshe, vetë Albin Kurti ka thënë se i tërë ky proces gjyqësor është me motive politike.
XS
SM
MD
LG