Ndërlidhjet

A janë rikthyer transmetuesit e Serbisë?


Përfaqësues të Telekomit të Serbisë në Kosovë konfirmojnë se rrjeti i telefonisë mobile të kësaj kompanie është duke funksionuar vetëm në veri. Ligjvënësit kosovarë kritikojnë Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit për mos-mënjanimin e antenave edhe në pjesën veriore.


Në pjesën qendrore të Kosovës, ku edhe gjenden vendbanimet me shumicë serbe, siç është Graçanica, nuk është duke funksionuar rrjeti i telefonisë mobile të Serbisë, që deri tani ka vepruar ilegalisht në Kosovë.

Operacioni i para një jave i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit ka rezultuar i suksesshëm në këtë pjesë, por jo edhe në veriun e vendit, ku nuk janë hequr antenat e operatorëve serbë.

Përfaqësuesi i Telekomit të Serbisë në Kosovë, Ilija Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë, se në veri rrjeti po funksionon plotësisht.

“Në veri ka rrjet, atje nuk kanë prekur asgjë”, tha Ivanoviq, duke shtuar se pjesa qendrore e vendit është plotësisht pa rrjet të telefonisë serbe.

“Rrjeti nuk funksionon në Kosovën qendrore”, tha Ivanoviq, duke mohuar të kenë ndërmarrë veprime për të kthyer sinjalin e telefonisë mobile serbe, siç është thënë në mediat lokale.

“Jo, jo, jo. I kanë shkatërruar të gjitha. Pothuaj tërë Kosova është pa rrjet, përveç veriut të Kosovës. Nuk ka rrjet të Telekomit të Kosovës 064, 065 dhe 066”, tha Ivanoviq.

Mediat kanë raportuar se në Pejë është rikthyer sinjali, pas forcimit të një transmetuesi në fshatin me shumicë serbe, Gorazhdec. Me gjithë përpjekjet, kontaktimi me zyrtarët e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, ka qenë i pamundur.

ART-ja nuk ka dhënë version zyrtar të gjendjes aktuale, që nga java e kaluar. Në Pejë qytetarët thonë se rrjeti i telefonisë mobile serbe funksionon herë pas here. Ivanoviq mohon një gjë të tillë.

“Unë nuk di asgjë nëse është kthyer sinjali në Pejë. Por, nuk besoj se ka sinjal në Pejë”, tha Ivanoviq.

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit nuk ka njoftuar as Komisionin Parlamentar për telekomunikacion në lidhje me veprimet e fundit dhe gjendjen aktuale.

Kryetarja e këtij komisioni, Myzejene Selmani, tha se deputetët janë njoftuar vetëm nga mediat. Ajo kritikoi këtë organ të pavarur, për mos-heqjen e antenave të operatorëve serbë edhe në veri.

“Duhet të jenë funksionalë edhe për pjesën veriore, sepse ajo është pjesë e Kosovës dhe në rast se ne duam të qesim rregull në telefoninë mobile, apo në brezin frekuentor, atëherë duhet bërë nga pjesa veriore deri në pjesën jugore të Kosovës. E jo të thuhet se në pjesën veriore nuk mundemi. Të njëjtën gjë e pohon edhe KEK-u, thuajse ne vetë po insistojmë që kjo pjesë veriore të mos njihet nga organet tona”, tha Myzejene Selmani.

Mënjanimi i transmetuesve të telefonisë mobile të Serbisë në Kosovë është përcjellë me reagime nga përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, por edhe nga Beogradi zyrtar, duke thënë se me këtë veprim po izolohen serbët.

Megjithatë, deri më tash, sipas zëdhënësit të PTK-së, Menduh Abazi, janë rreth shtatë mijë banorë serbë të Kosovës, që janë pajisur me numra të kompanisë Vala, të cilat PTK-ja i ka shpërndarë falas.

Ne i kemi shpërndarë në komunën e Shtërpcës, në komunën e Graçanicës, në Ranillug, në Pejë, në fshatrat e Fushë Kosovës dhe në Viti. Rajoni, që më së shumti ka marrë numra është ky i Prishtinës, ku futet edhe Graçanica. Ndërsa në veri të Mitrovicës ka pasur interesim jashtëzakonisht të vogël, meqë në atë territor nuk ka pasur ndërprerje të sinjalit të telefonisë serbe”, tha Abazi.

Kjo kompani po ashtu ka ulur për 50 për qind çmimet e thirrjes nga Vala në telefonitë mobile të Serbisë.

Ndryshe, aksioni i ART-së për mënjanimin e transmetuesve të telefonisë mobile të Serbisë, është pasuar me me hedhjen në erë në veri të të paktën pesë antenave të operatorëve legalë kosovarë- kryesisht të operatorit privat IPKO-s.
XS
SM
MD
LG