Ndërlidhjet

Të gatshëm për bisedime teknike?


Prishtinë
Prishtinë

Autoritetet thonë se Kosova duhet ta ketë agjendën e vet për bisedimet eventuale teknike me Serbinë dhe se asnjë pikë që ka të bëjë me statusin s'mund të përfshihet në këto bisedime. Në Beograd ndërkaq janë dhënë shenjat e para të një gatishmërie për bisedime të këtilla.



Kosova duhet ta ketë agjendën e vet për bisedimet eventuale të nivelit teknik me Serbinë, thonë deputetët kosovarë. Sipas tyre, asnjë pikë që ka të bëjë me statusin dhe çështjet që prekin në statusin e Kosovës nuk mund të përfshihet në bisedime me Serbinë.

Deputeti dhe nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu thotë se bisedimet teknike Prishtinë – Beograd, përbëjnë një nga kriteret për të dyja vendet në agjendën e integrimeve evropiane.

“Bisedimet për çështje të ndryshme, si dy vende fqinje, ato janë obligime ndërkombëtare që duhet t’i rregullojnë Kosova dhe Serbia. Nuk varet shumë prej vullnetit tonë sa varet prej rrugës sonë në Evropë".

"Por, pa këto çështje, si ajo e kufijve, e qarkullimit të mallrave e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit e kontrabandës, janë standarde që duhet plotësuar rajoni i Ballkanit, përfshi këtu edhe Kosovën e Serbinë”,
tha Kryeziu.

Në anën tjetër, opozita paraqet një pikëpamje tjetër në lidhje me bisedimet e reja Kosovë – Serbi, që po paralajmërohen. Deputeti i AAK-së, Ardian Gjini thotë se Kosova do të hyjë si palë jo e barabartë në këto bisedime, pasi që sipas tij, "qeveria aktuale është e zhytur në korrupsion dhe preokupim kryesor do ta ketë shpëtimin e zyrtarëve të saj".

“Nuk është brengosës fakti që ka nevojë për dialog, brengosës është fakti që Kosova gjendet në pozitë tejet inferiore kundrejt vendeve të rajonit".

"Tani e shihni këtë qeveri totalisht të paaftë e ka sjellë Kosovën në pozitë që në çfarëdo bisediem të hyjë si një vend që është kampion për korrupsion, krim të organizuar, trafikim me qenie njerëzore, për zhvillimin ekonomik më të dobëtin në rajon, për sundimin e ligjit më të dobëtin në rajon, e kjo qeveri nuk mund të jetë e aftë që t’i zhvillojë ato biseda”,
theksoi Gjini.

Bisedimet eventuale Kosovë-Serbi, sipas deputetit të LDD-së, Lulëzim Zeneli në radhë të parë janë në interes të Serbisë, ngase ato do t’i shërbejnë këtij vendi për të plotësuar kriteret për integrimin e këtij vendi në BE. Ndërkaq Kosova, nënvizon Zeneli, nuk ka ndonjë interes të bisedojë me Serbinë për çështje, të cilat sipas tij, nuk janë vetëm teknike, siç po prezantohen nga zyrtarë vendorë e ndërkombëtar.

“Nga një proces i tillë Kosova nuk do të përfitojë asgjë, përkundrazi, një proces i tillë do të jetë në shërbim ekskluziv të palës tjetër".

"Prandaj duke pasur parasyshë se pozicionet me vendet fqinje nuk kanë ndryshuar, ato vazhdojnë të mbeten të njëjta, siç kanë qenë edhe para dy viteve dhe duke pasur parasyshë pozicionin agresiv të Serbisë, atëherë lirisht mund të themi se Kosova në këtë proces hyn si shumë e papërgatitur”,
tha Zeneli.

Bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po paralajmërohen të ndodhin pas dhënies së mendimit këshillëdhënës në lidhje me pavarësinë e Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Për shkak të mos njohjes së Kosovës si shtet nga ana e Serbisë, bisedimet janë përkufizuar si çështje teknike të cilat në fazën e parë nuk do t’i adresonin problemet e rënda politike, por më shumë ato të bashkëpunimit ndërkufitar si edhe çështjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, të pagjeturit dhe kthimin e të zhvendosurve.


Gatishmëria e Beogradit

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovën Oliver Ivanoviq ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se “Beogradi është i gatshëm për bisedime teknike me Prishtinën”.

Ndonëse ka thënë se çështja e statusit të Kosovës gjithnjë do të mbetet e hapur për Serbinë, Ivanoviq thotë se çështjet teknike duhet të zgjidhen, sepse kanë të bëjnë me aspekte thelbësore për jetë normale të serbëve në Kosovë.

I pyetur nëse Beogradi është i gatshëm të ulet të tryezën e bisedimeve me Prishtinën, pa shtruar çështjen e statusit, Ivanoviq thotë:

“Mendoj se Beogradi nuk do të jetë në kontakt të drejtpërdrejt me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë përderisa ata prezantohen si përfaqësues të një shteti të pavarur dhe në këto rrethana ndërmjetësuesit do të na ndihmonin shumë”.

“Kur përmendet normalizimi i raporteve kjo politikisht kështu tingëllon, por unë më me dëshirë do të thoja se Beogradi është i gatshëm për kontakte teknike në nivele teknike, pa përmendur çështjen e statusit, por me theksin se kjo çështje herët a vonë do të hapet”, thotë Ivanoviq.

Por, qëndrim më ndryshe ka Predrag Simiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se deri më tash ka dëgjuar deklarime dhe ato i konsideron “vetëm paralajmërime pas të cilave nuk shihen synime konkrete”.

“Kemi shumë çështje që vetëm kushtimisht emërtohen si teknike, por që janë thelbësore për jetën e serbëve në Kosovë. Ato çështje mund të trajtohen në një ose formën tjetër, por nga përvoja e ime bisedimet për çështjet teknike herët a vonë godasin çështjen me esenciale dhe ky është statusi i Kosovës”,
thotë Predrag Simiq.

Ai gjithashtu në parim nuk përjashton mundësinë e uljes në tryezën e bisedimeve të Kosovës dhe Serbisë. (m.k.)
XS
SM
MD
LG