Ndërlidhjet

logo-print

Intensifikohen hetimet për të dyshuarin e Nju Jorkut



Prokurorët amerikanë kanë ngritur akuza formale ndaj njeriut, që akuzohet se u përpoq ta aktivizojë automjetin bombë në sheshin “Tajms Skuer” në Nju Jork, përfshirë akuzën për përpjekje për aktivizim të armëve për shkatërrim në masë.

Zyrtarët thanë se Faisal Shahzad, 30 vjeçar, kishte pranuar se stërvitjen për sajimin e bombës e kishte bërë në rajonin e Vaziristanit Verior në Pakistan, jo shumë larg kufirit afgan, duke lënë të kuptohet për lidhje të mundshme me Al Kaidën.

Faisal Shahzad shtetas amerikan me origjinë nga Pakistani, është në paraburgim.

Zyrtarët thanë se paraqitja e tij në gjykatën amerikane ishte shtyrë deri kah fundi i javës, për shkak të asaj që u përshkrua si bashkëpunim i Fahzadit me hetuesit.

Ndërkohë, autoritetet në Pakistan thanë se një numër njerëzish janë arrestuar, përfshirë në qytetin Karaçi, në lidhje me përpjekjen për sulm në Nju Jork.

Shahzad u arrestua gjatë përpjekjet për t’u larguar nga vendi drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.

Shahzad, i lindur në rajonin e Kashmirit në Pakistan, dhe djalë i një ish oficeri të forcave ajrore pakistaneze, jetonte në shtetin amerikan të Konektikatit pasi kishte emigruar nga Pakistani.

Më herët, presidenti Barak Obama tha se sulmi ishte një paralajmërim për kërcënimet aktuale të sigurisë.

Obama tha se FBI-ja dhe autoritetet tjera po e hetojnë të dyshuarin për lidhje të mundshme me grupet tjera terroriste.
XS
SM
MD
LG