Ndërlidhjet

logo-print

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, duke e komentuar projekt-rezolutën e këtij Parlamenti, e cila pritet të miratohet në qershor, thotë se me këtë dokument, i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i çojnë përpara raportet e tyre, mbi parimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Parlamenti Evropian me këtë projekt-rezolutë kërkon nga Serbia të ketë “qëndrim pragmatik” ndaj statusit të Kosovës, ndonëse apostrofon se “njohja e Kosovës tash për tash nuk është një mundësi e pranueshme për udhëheqjen në Beograd”.

“Përmirësimi i këtyre raporteve është padyshim në interes të të të dyja vendeve, njerëzve që jetojnë në këto vende dhe para së gjithash, në interes të rajonit si një tërësi, sepse një gjë e këtillë padyshim kontribuon në zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian”, ka thënë Kacin për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se kjo është edhe arsyeja pse shtetet motivohen të avansojnë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe pa një dialog, thotë zoti Kacin, një gjë e këtillë nuk është e mundshme.

Në këtë kuadër, ai përmend problemin e funksionimit të operatorëve të palicencuar të Serbisë në Kosovë dhe thotë se një çështje e këtillë kërkon zgjidhje, por zgjidhja mund të gjendet vetëm nëpërmjet dialogut.

“Në dialog munden dhe duhet të gjenden zgjidhje kompromisi, të cilat do të mundësonin që përkundër dilemave të vështira mbi statusin e Kosovës, do të trajtonin çështjet e jetës së përditshme dhe do të mundësonin që bashkëjetesa politike dhe ekonomike të ecë tutje”, thotë Kacin.

Në projekt – rezolutë, e cila do të plotësohet me amendamentet shtesë nga debate, vihet në pah se Parlamenti Evropian është i “brengosur” për shkak të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe theksohet se “marrëdhëniet e mira fqinjësore janë esenciale për aspiratat e Serbisë” dhe vendeve tjera të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (a.v.)

***
Lexoni edhe këtë:
PE kërkon pragmatizëm të Serbisë ndaj Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG