Ndërlidhjet


Zhbllokimi i pjesëmarrjes së sportit kosovar në arenën ndërkombëtare duhet të jetë pjesë e bisedimeve të mundshme për çështje teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në konferencën e organizuar nga Klubi për politikë të jashtme në Prishtinë, është shpalosur analiza e titulluar “Loja jo-fer” apo “Thyerja e izolimit ndërkombëtar në sport”.

Yll Hoxha, nga Klubi për politikë të jashtme ka vënë në dukje momentin e tanishëm, në të cilin, siç ka thënë ai, janë intensifikuar kërkesat e institucioneve dhe forumeve të ndryshme ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia të futen në bisedime për çështje teknike për normalizim të marrëdhënieve.

Ai ka thënë se në bisedimet e tilla eventuale duhet futur edhe çështjen e sportit, ndaj së cilës, sipas tij, Serbia ka qenë tërësisht joparimore.

“Konsiderojmë se shteti serb, në formë sistematike ka bllokuar Kosovën në vitet e fundit, gjegjësisht asociacionet tona sportive, për të qenë pjesë e asociacioneve ndërkombëtare. Kjo nuk është fshehtësi, por kjo është politikë e cila gjendet në dokumentet zyrtare të qeverisë serbe”.

“Mendojmë se kjo duhet të ngritet si problem, në mënyrë që të trajtohet në këtë kontekst të ri politik, i cili na shtynë drejt një komunikimi më intensiv me Serbinë, për normalizim marrëdhëniesh. Ne duhet të ngrisim çështjen e sportit, sepse kjo është çështje parimore, elementare dhe humane e jona. Në këtë beteje, Serbia është tërësisht joparimore”,
ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, Hajrullah Çeku, autor i analizës “Loja jo-fer” ka thënë se Kosovës i mungon një strategji kombëtare, në bazë të së cilës do të orientohej dhe do të vepronte në drejtim të ndërkombëtarizimit të sportit.

Ndërkaq që, sipas tij, Serbia tashmë e ka një strategji me të cilën përpiqet të pengoj depërtimin e sportit kosovarë në arenat ndërkombëtare.

“Do të filloja me një konstatim të analizës, në lidhje me buxhetin që Kosova e alokon për sport, në përgjithësi për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në krahasim me buxhetin vjetor që Serbia e alokon në të njëjtin sektor. Konstatimi ynë është që ne diku 10 herë më pak ndajmë mjete për këtë sektor”.

“Në anën tjetër, Serbia në Ministrinë e rinisë dhe sportit, në strategjinë e zhvillimit të sportit, në mënyrë eksplicite e thotë që institucionet sportive të shtetit të Serbisë do të angazhohen për të penguar federatat kosovare, në përpjekjet e tyre për antarsime ndërkombëtare”,
ka thënë Çeku.

Çeku ka kritikuar institucionet Kosovare për mosangazhim të mjaftueshëm për ndërkombëtarizim të sportit.

“Në Kosovë ekziston një neglizhencë totale ndaj çështjes së sportit. Raporti konstaton se Kuvendi i kosovës asnjë herë nuk e ka diskutuar çështjen e sportit e aq më pak ndërkombëtarizimin e sportit. As ministritë përkatëse nuk janë në nivel të detyrës së tyre”.

“Bile, Ministria e punëve të jashtme nuk e ka as të definuar në listën e prioriteteve të politikave, në këtë dikaster, çështjen e ndërkombëtarizimit të sportit”,
thotë Çeku.

Ndryshe, analiza e Klubit për politikë të jashme, ngecjen dhe izolimin e sportit kosovar e pasqyron në katër dimensione: humbjet financiare, organizimin e brendshëm, ndikimin e politikës, si dhe dimensionin njerëzor.

Megjithatë, sipas kësaj analize ekzistojnë opsione të mundshme për veprim edhe në kushtet aktuale. Sipas analizës, sporti mund të shërbejë si masë e vullnetit të mirë në mes të Kosovës dhe Serbisë, në rast se promovohet si masë e tillë.

Pastaj, në analizë thuhet se mund të përdoret arbitrazhi sportiv pas refuzimit të federatave të ndryshme për anëtarsim; shfrtytëzimi i UNMIK-ut; pjesëmarrja në Ligën Shqiptare të
Futbollit, si dhe zgjidhje tjera të përkohshme.

Ndërkaq, Eroll Belegu, drejtues i Federatës së Basketbollit të Kosovës thotë se institucionet kosovare duhet ta marrin me shumë seriozitet çështjen e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.

“Unë mendoj që kjo duhet të bëhet çështje shumë serioze dhe ndoshta të përcaktohet një përfaqësues special i shtetit të Kosovës, i presidentit apo sido që të quhet, i cili do të merret me çështjen e ndërkombëtarizimit të sportit, me përkrahje të plotë të Ministrisë së punëve të jashtme”.

“Nëse ne si shtet nuk e tregojmë seriozitetin tonë në këtë drejtim, e unë mendoj që krijimi i një organi apo një përfaqësuesi të tillë e tregon seriozitetin e shtetit, nuk mund të presim që dikush të na marrë neve më seriozisht dhe të merret me çështjen tonë më shumë se që ne vetë duhet të merremi me të”
, ka thënë Belegu.

Sidoqoftë, analiza e Klubit për politikë të jashme ka dhënë edhe rekomandimet e saj dhe një prej tyre është që ndërkombëtarizimi i sportit të hyjë në agjendat politike dhe të hartohet strategjia për këtë qëllim.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG