Ndërlidhjet

Fitcxherlad: KFOR-i në mbështetje të rendit dhe ligjit


Admirali Mark Fitcxherald
Admirali Mark Fitcxherald

KFOR-i mbështet të gjitha përpjekjet për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, ka thënë admirali amerikan, Mark Fitcxherald, gjatë qëndrimit në Prishtinë. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme për çdo shoqëri demokratike.






Forca shumëkombëshe e NATO-s në Kosovë mbështet të gjitha përpjekjet për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, tha të mërkurën në Prishtinë, Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të Komandës në Napoli, admirali Mark Fitcxherald.

Këto komente, zyrtari i lartë i NATO-s i bëri pas takimit që zhvilloi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler.

Admirali Fitcxherald tha se luftimi i krimit dhe korrupsionit është përgjegjësi e EULEX-it dhe policisë së Kosovës, por nëse kërkohet ndihma e KFOR-it, kjo ndihmë nuk do të mungojë.

“Ne e mbështesim sundimin e ligjit dhe se ne jemi këtu që të ndihmojmë si forca e tretë reaguese për ruajtjen e sigurisë sa herë që na kërkohet”, tha admirali Ficxherald.

“Luftimi korrupsionit është i rëndësishëm për çdo shoqëri demokratike”, tha ai. Kjo punë, nënvizoi zyrtari i lartë i NATO-s, i takon EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, por KFOR-i do të jetë në mbështetje të rendit dhe ligjin sa herë që t’i kërkohet.

Në vazhdim ai është shprehur mjaft i shqetësuar me disa zhvillime dhe incidente në zonën midis kufirit Kosovë – Maqedoni, pas paraqitjes së disa personave të armatosur.

“Raste të tilla mund të destabilizojnë vendet, në këtë rast Maqedoninë dhe natyrisht që jemi të brengosur”, tha Ficxherald. Por, lajmi i mirë, sipas tij, ishte reagimi i shpejtë dhe adekuat i autoriteteve në të dyja anët e kufirit, që gjendja të mbahet nën kontroll.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënant Markus Bentler tha se autoritetet në Kosovë dhe ato në Maqedoni kanë arritur të bashkëpunojnë dhe ndajnë informacione që quan deri te qetësimi i shpejtë i situatës.

“Mendoj se është dërguar një mesazh i qartë se ne jemi këtu dhe vazhdojmë punën tonë, por edhe institucionet e Kosovës po i shtojnë kapacitetet dhe kjo dëshmon edhe me shpejtësinë e reagimit”, tha Bentler.

Si zakonisht, një çështje tjetër që diskutohet në këto takime është edhe ngritja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si një forcë që është vënë nën mandatin e NATO-s.

Bentler tha se disa shkarkime të zyrtarëve të FSK-së janë bërë dhe do të bëhen në kuadër të një procesi mjaft të paanshëm dhe objektiv të verifikimit të së kaluarës dhe kualifikimeve të pjesëtarëve të kësaj Force.

Kohët e fundit janë shpeshtuar vizitat e admiralit Fitcxherald në Kosovë, ndërsa KFOR-i vazhdon me ristrukturimin dhe shkurtimin e trupave pas vlerësimeve të bëra se në Kosovë tashmë ka një siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.
XS
SM
MD
LG