Ndërlidhjet

Britani: Konservatorët kanë përparësi në zgjedhje



Në Britani kanë filluar votimet për zgjedhjet parlamentare. Anketat e opinionit i japin një përparësi prej 7 pikësh konservatorëve të Dejvid Kamerun.

Laburistët e kryeministrit Gordon Braun janë shumë pranë me Liberal-Demokratët e Nik Kleg. Parashikimet, ndonëse nxjerrin fitues konservatorët, nuk iu japin atyre shumicën e nevojshme për të qeverisur. Në fjalimin përfundimtar të mbajtur mbrëmë, Kamerun foli për ndryshim dhe shpresë, çfarë të kujtonte mesazhet e fushatës së presidentit Obama.

“Votoni për ndryshimin, votoni për konservatorët. Votoni t’i jepni këtij vendi shpresën, optimizmin dhe ndryshimin për të cilat ka nevojë”, tha Kamerun.
Ndryshimi ishte në thelb edhe të mesazhit të Nik Kleg, drejtues i Partisë Liberal Demokrate.

“Është koha të bëni zgjedhje. Është zgjedhja mes politikës së vjetër të së shkuarës dhe politikës së re, ndryshe, të së ardhmes”, tha Kleg. Paraqitja e këtij të fundit e vendos partinë e tij në pozicionin më të mirë që ka pasur ndonjëherë.

Kryeministri aktual ka kërkuar nga votuesit të dalin në zgjedhje e të votojnë laburistët.

“Çdokush të dalë dhe të marrë pjesë, në mënyrë që të sigurojmë një qeverisje laburiste, pasi kjo është ajo që vendi ka nevojë”, tha Braun.
Partia Laburiste është në pushtet që nga viti 1997.

Nëse asnjë nga partitë nuk do të fitojë shumicën, atëherë do të mund të kemi një qeveri koalicioni. Kjo e fundit është e zakonshme për shumicën e vendeve evropiane, por jo dhe për Britaninë e Madhe.
XS
SM
MD
LG