Ndërlidhjet

Zgjedhjet parlamentare në Britani


Nik Kleg, Gordon Braun dhe Dejvid Kamerun
Nik Kleg, Gordon Braun dhe Dejvid Kamerun
Hulumtimet parazgjedhore thonë se konservatorët në opozitë të Dejvid Kamerunit janë favoritë, sepse kanë epërsi prej 7 për qind ndaj Partisë Laburiste të kryeministrit Gordon Braun.

Partia e tretë ajo liberaldemokrate është krah për krah me Partinë Laburiste që ishte në pushtet në 13 vitet e fundit.

Ky raport i forcave politike nëse del i saktë do të thotë që në Parlamentin e ardhshëm Partia Konservatore do të jetë më e madhja, por pa shumicë të qartë.

Pak çaste para hapjes së vendvotimeve, Dejvid Kamerun deklaroi se partia e tij konservatore qëndron pas “ndryshimeve “ dhe “shpresës”.

“Votoni për ndryshime, votoni konservatorët që këtij vendi t’i japim shpresën dhe optimizmin. Bashkë mund të ndërtojmë një vend më të fuqishëm dhe më të mirë”, ka thënë Kamerun.

Megjithatë fushata është karakterizuar me rritjen e mbështetjes për Liberaldemokratët nën udhëheqjen e Nik Kleg.

“Është koha të bëjmë zgjedhjen. Është zgjedhje ndërmjet politikës së vjetër nga e kaluara dhe politikës së re të ndryshme drejtë të ardhmes”, ka thënë Nik Kleg.

Nga ana tjetër Gordon Braun, në paraqitjen e tij të fundit para hapjes së vendvotimeve, ka thënë se vetëm qeveria e shumicës mund të realizojë atë që i duhet vendit.

“Të gjithë dilni me laburistët dhe siguroni atë që i duhet këtij vendi – qeverinë e shumicës së laburistëve”, ka thënë Gordon Braun.

Më shumë se 44 milionë britanikë kanë të drejtën e votës.

Rezultatet e para pritet të kumtohen pak pas mbylljes së vendvotimeve, pas orës 23. (m.k.)
XS
SM
MD
LG