Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Partesh janë caktuar të mbahen më 20 qershor të këtij viti. Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal, thonë se për krijimin e kësaj komune tash më janë tejkaluar të gjitha sfidat. Por, njohësit e decentralizimit e pohojnë të kundërtën. Ata konsiderojnë se në atë lokalitet ende ka grupe që e kundërshtojnë decentralizimin.


Përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal, kanë bërë të ditur se të gjitha problemet tashmë janë tejkaluar për formimin e komunës së re të Parteshit, e cila aktualisht administrohet nga komuna e Gjilanit.

Lumnije Demi, drejtoreshë e zyrës për informim në këtë ministri, deklaron se në këtë vendbanim që kryesisht është i banuar me shumicë serbe, tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet për t’u mbajtur zgjedhjet me 20 qershor dhe me pas, siç ka thënë ajo, për t’u shndërruar në komunë të re.

“Për dalim nga viti i kaluar, qasja e qytetarëve, besimi i qytetarëve për t’iu bashkuar procesit të decentralizimit dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet locale, është dallueshëm më e mirë se sa në vitin e kaluar. Ministria, ashtu sikurse edhe grupet e tjera përgatitore, ka vazhduar punën sipas planit të paraparë, ka emëruar ekipin përgatitor komunal në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare. Dhe ekziston një komunikim mjaft i mirë dhe vullnet i ekipit përgatitor të atij lokaliteti, për ta përgatitur Parteshin për të hyrë në zgjedhjet lokale”, tha Demi.

Ndërkaq, njohësit e procesit të decentralizimit konsiderojnë se në Partesh, ende ka probleme që nuk janë tejkaluar. Eksperti Arben Gashi, thotë se në vendbanim ekzistojnë ende grupe të caktuara të njerëzve, si nga radhët e shqiptarëve, ashtu edhe të komunitetit serb, të cilët e kundërshtojnë procesin e decentralizimit.

“Kundërshtime ka nga të dyja palët nëse mund të quhen kështu. Ka nga shqiptarët lokalë dhe nga serbët lokalë të asaj zone, sidomos për krijimin e komunës se Parteshit, sepse ky është një rast shumë konkret ku shërbimet largohen nga qytetari”, u shpreh Gashi.

Por, zonja Demi, deklaron të kundërtën. Sipas saj të gjitha raportet dhe kontaktet me banorët e asaj ane tregojnë se gjërat kanë lëvizur në drejtimin e duhur dhe nuk ka kundërshtime.

“Nga kontaktet që kemi pasur me qytetarët kanë ekzistuar dilema rrethë mungesës së kushteve elementare për jetë. Mirëpo, nuk janë evidentuar grupacione të caktuara, të cilat kanë qenë kundër procesit të decentralizimit. Dhe nga raportet që ne kemi marrë nga tereni, mund të vlerësojmë se ekziston një gjendje shumë më e mirë dhe një disponim shumë më i madh i qytetarëve të atij lokaliteti, për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale dhe për të realizuar projektin e decentralizimit”, tha Demi.

Procesi i decentralizimit, ka për qëllim ofrimin e shërbimeve për qytetarët, por kjo sipas Arben Gashit nuk është duke ndodhur. Ai thotë se institucionet e Kosovës, as me këtë proces nuk po arrijnë ta shtrijnë autoritetin e tyre në gjithë vendin.

“ Ne realitet ka ndodhur e kundërta, pjesa me madhe e shërbimeve janë larguar me krijimin e komunave të reja. Me pakon e Marti Ahtisarit parashihet që të ketë decentralizim, i cili ka për qëllim akomodimin e pakices serbe në Republikën e Kosovës”.

“Ndërsa, me zbatimin e pjeserishëm të pakos se presidenti Ahtisari ka ndoshur një fenomen i çuditshme ku me krijimin e komunave të reja që janë larguar shërbimet nga qytetarët është krijuar baza për ndarjen etnike komunale dhe jo elementi kryesor që ka qenë shtrirja e autoritetit në tërë territorin e Kosovës”,
tha Gashi.

Derisa për Parteshin, tashmë është caktuar data e zgjedhjeve, një gjë e tillë ende nuk është bërë për komunën e re të Mitrovicës.

Si do që të jetë institucionet e Kosovës e kanë vlerësuar si të arritur të madhe themelimin e komunës së Graçanicës, e Ranillugut dhe e Kllokotit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG