Ndërlidhjet

logo-print

Disa kërkojnë transparencë, të tjerët mos-ndërhyrje


Ministria e Transportit gjatë bastisjes

Ministria e Transportit gjatë bastisjes

Autoritetet e Kosovës kërkojnë nga misioni evropian për sundimin e ligjit transparencë mbi hetimet që po zhvillohen në Ministrinë e Transportit. EULEX-i kërkon që të mos ketë ndikime politike në sundimin e ligjit


Një javë pas bastisjes që EULEX-i bëri në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në pronat private të personave të kësaj ministrie, autoritetet kosovare kanë kërkuar nga ky mision transparencë dhe hetime të përshpejtuara në ndërlidhje me këtë rast. Ndërsa, nuk kanë munguar kritikat e krerëve të institucioneve për mënyrën e bastisjes.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se organet e rendit nuk kanë vepruar drejt.

“Ne mendojmë se organet e hetuesisë, qoftë të Republikës së Kosovës apo të EULEX-it, kanë mundur ta ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë shumë më civilizuese dhe nuk ka pasur nevojë të kryhet ashtu siç është kryer”, tha Krasniqi.

Por, përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit kërkuan nga politika që t’i qëndrojë larg drejtësisë.

“Në bazë të parimeve të përgjithshme, sundimi i ligjit duhet të lejohet që të punojë në mënyrë të pavarur, pa ndikime politike”, i tha Radios Evropa e Lirë zëdhënësja e EULEX-it për komponentin e drejtësisë, Kristina Herodes.

Përfaqësues të EULEX-it kanë bërë të ditur se hetimet në Ministrinë e Transportit kanë të bëjnë me tenderët për ndërtimin e rrugëve të periudhës 2007-2009. Prokurori Johannes Van Vreeswijk ka thënë se bëhet fjalë për keqpërdorime që, sipas tij, kapin vlerën e miliona eurove.

Analisti politik, Halil Matoshi, tha se me kaq duhet të përfundojë, siç u shpreh ai, presioni mbi EULEX-in, në mënyrë që drejtësia ta kryejë punën e saj.

“Rasti në kuptimin medial tashmë dihet. Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe zoti Limaj dyshohen për manipulime tenderësh dhe në kuptimin medial këtu edhe përfundon”.

“Prandaj, nuk duhet që të interferohet politikisht ose me presionet tjera mediale tek organet e gjyqësisë. Ata japin verdiktin e tyre. Natyrisht, është rregull në secilin sistem juridik se një njeri i dyshuar, derisa nuk gjykohet për një vepër, vazhdon të jetë i pafajshëm”,
u shpreh Matoshi.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nuk janë njoftuar me asnjë fakt nga misioni evropian lidhur me keqpërdorimet e mundshme.

Kësisoj, edhe nga Kuvendi, sipas kryetarit Jakup Krasniqi, nuk është kërkuar shqyrtimi i imunitetit të ministrit Limaj. Ndërkohë, Krasniqi tha se ai vetë është për sundimin e ligjit në vend, duke potencuar se asnjë individ nuk është mbi ligjin.

Por, Krasniqi kritikoi misionin evropian se nuk po punon që të shtrijë sundimin e ligjit edhe në veriun e vendit.

“Neve na vjen keq se në këtë rrafsh EULEX-i duhet të tregojë që është për ta luftuar çdo formë të krimit, korrupsionit dhe trafiqeve të ndaluara, që janë të shumta sidomos në pjesën veriore dhe që nuk është bërë gjë gjatë gjithë këtyre viteve”, tha Krasniqi.

Ndryshe, vetë ministri Limaj ka deklaruar se është i hapur për hetime. Ai po vazhdon ta kryejë punën e tij si ministër. Deri më tani, misioni evropian nuk ka arrestuar askënd, ndërsa ka thënë se nuk ka as të dyshuar, meqë po hetohet rasti dhe jo individët.
XS
SM
MD
LG