Ndërlidhjet

logo-print

Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nënkupton disa rezultate konkrete dhe jo vetëm miratim të ligjeve dhe zotime verbale, deklaroi në Prishtinë komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle. Këto komente, Fyle i bëri pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke iu referuar bastisjeve që misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, i ndërmori në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht në Ministrinë e Transportit, dhe reagimeve të ashpra që erdhën nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilët nuk ishin pajtuar me atë formë të sjelljes së EULEX-it në raport me institucionet vendore, Fyle tha se hetimet janë duke vazhduar dhe se janë në përputhje me mandatin e këtij misioni.

“EULEX-i është ftuar nga Qeveria e Kosovës dhe ka mandat të qartë dhe se nuk më përket mua t’i komentoj hetimet të cilat janë duke vazhduar”, tha eurokomisionari Fyle. Duke mos u ndalur vetëm tek rasti i bastisjeve të fundit, Fyle tha se raporti i progresit i Komisionit Evropian kërkon nga Kosova që të ketë edhe disa rezultate konkrete në kuadër të luftimit të dukurive negative.

“Nëse e shikoni raportin e progresit ai flet për qeverisjen e mire dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne kemi nevojë për vepra konkrete dhe jo vetëm angazhime në formën e miratimit të legjislacionit”, tha Fyle.

Ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi tha se politika nuk do të duhej të përzihej në çështjet e drejtësisë. Ai u shpreh i gatshëm të bashkëpunoje me ICO-në dhe EULEX-in në të mirë të perspektivës evropiane të Kosovës.

“Bashkëpunimi me EULEX-in dhe ICO-në është një bashkëpunim për interesin e vendit, progresin e arritur, perspektivën evropiane. I kemi ftuar, kanë qenë të mirëpritura dhe një bashkëpunim i tillë sa do të vazhdojë. Natyrisht me evoluimin e procesit do të kemi transformime të reja”,
tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës ka konfirmuar zyrtarit evropian edhe gatishmërinë e Kosovës për bisedime me Serbinë, mbi parimin e dy shteteve të barabarta dhe për çështje të interesit të ndërsjellë.

“Do të ketë edhe takime dhe biseda për një jetë më të mirë të dy vendeve tona, edhe të Kosovës edhe të Serbisë. Për ndërtimin e relacioneve të reja bashkëpunuese e integruese. Sa më shpejt që normalizohen raportet Prishtinë – Beograd aq më shpejt dy vendet tona por edhe tërë rajoni do të jetë pjesë e familjes evropiane”,
tha Thaçi.

Në anën tjetër, Shtefan Fyle tha se Bashkimi Evropian do t’u ofroj Kosovës dhe Serbisë ndihmën e plotë në vendosjen e këtyre bisedimeve. Komisioneri i BE-së ka marrë pjesë dhe në përurimin e ndërtesës së re të Ministrisë së Brendshme. Ndërkaq nesër ai do të vizitojë Mitrovicën, ku pritet të marrë pjesë në një numër aktivitetesh të cilat financohen nga BE-ja si dhe do të mbajë dhe një fjalim në Universitetin e Mitrovicës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG