Ndërlidhjet

logo-print

Bisedimet e mundshme teknike Prishtinë – Beograd, nga përfaqësuesit e serbëve vlerësohen ndryshe. Disa thonë se ato do të ishin “tradhti kombëtare” për serbët, të tjerët pohojnë se janë të domosdoshme për të përmirësuar jetën e të gjithëve.



Ekzistojnë mjaft nisma, të cilat sugjerojnë që Prishtina dhe Beogradi t'i fillojnë bisedimet për çështje teknike, por ato vetëm se mund t’i dëmtojnë interesat e serbëve të Kosovës, vlerëson Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës.

Ai thotë se bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhen vetëm për çështjen e statusit, në mënyrë që Serbia të mos heqë dorë nga, siç thotë ai, “territori i saj”.

“Unë mendoj se Beogradi nuk do të guxonte që të pranojë bisedime për çështje teknike me Prishtinën. Mendoj se kjo do të ishte një formë e tradhëtisë kombëtare dhe kjo do të thoshte që Beogradi ka hequr dorë nga Kosova. Se si do të veprojë Beogradi, mbetet të shihet”.


“Nuk besoj që Beogradi mund të pranojë diçka të tillë, edhe pse nga kryetari i Serbisë pritet të jetë gjithçka e mundur”, thotë Jakshiq, duke i quajtur bisedimet teknike eventuale si të parëndësishme për serbët.

Por, mendim tjetër ka Petar Miletiq, politikan serb nga Kosova qendrore. Ai thotë se ekzistojnë mjaft çështje, për të cilat mund të bisedohet në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“Unë mendoj se ne tashmë jemi duke u vonuar me bisedime. Gjithsesi duhet të ulen në tavolinë, sepse kemi mjaft çështje dhe tema të hapura, për të cilat duhet të bisedohet. Secila palë do t'i parashtrojë temat e vet dhe unë jam i sigurt, njëqind për qind, se deri te bisedimet duhet të vijmë”.

“Ne tashmë e shohim se kohë më parë kemi pasur probleme me antenat e operatorëve mobilë, kemi probleme me energjinë elektrike, me tabelat e regjistrimit, si dhe lëvizjen në trafik. Këto janë vetëm disa tema që tash më kujtohen, por ka edhe mjaft tema të tjera, për të cilat do të duhej të bisedohet”
, thotë Miletiq.

Ai shton se nëse bisedimet do të zhvilloheshin në mënyrë konstruktive, zgjidhja e këtyre çështjeve do ta lehtësonte jetën e serbëve në Kosovë, por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë.

Ndryshe, të dy këta politikanë serbë vlerësojnë se një prej temave, e cila nuk do të mund të bishtnohej në bisedimet eventuale të çfarëdo lloji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është çështja e veriut të Kosovës dhe luftimi i krimit të organizuar në këtë pjesë.

Jakshiq vlerëson se krimi i organizuar në veri të Kosovës nuk është në nivel më të madh sesa në pjesët tjera të Kosovës, ndëërkaq që për ndarje eventuale të veriut, siç thotë ai, nuk duhet as të bisedohet.

“Është e vërejtshme se për veriun e Kosovës gjithnjë e më shumë po flitet, shkruhet dhe punohet. Por, thjesht, unë mendoj se pjesa më e madhe e opinionit intelektual në Beograd konsideron se nuk guxon të ndodhë kurrfarë ndarjeje”, thotë Jakshiq.

Ai shton se përqafimi i idesë së tillë do të nënkuptonte që Serbia nuk e respekton të drejtën ndërkombëtare.

Ndryshe, Miletiq vlerëson se veriu i Kosovës gjithsesi duhet të jetë një nga temat e bisedimeve eventuale për çështje teknike në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjithsesi që veiu i Kosovës është një nga temat, sepse atje kemi diçka që quhet vakuum ligjor, posaçërisht kur flitet për veriun e Mitrovicës”.

“Kur flitet për veriun e Mitrovicës, unë besoj se ne jemi rajoni i vetëm në Evropë, ku nuk funksionon institucioni i gjyqësisë. Është e pamundur që të organizohet një jetë normale nëse nuk ekziston institucioni i gjyqit”, shprehet Miletiq.

Sidoqoftë, ai shton se suksesi i bisedimeve eventuale për çështje teknike në mes Prishtinës dhe Beogradit do të varej nga shumë faktorë, duke u nisur nga temat që parashtrohen, pjesëmarrësit në bisedime dhe niveli i konstruktivitetit, si dhe këmbngulësia që të realizohet qëllimi për përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG