Ndërlidhjet


Pothuajse çdo edicion lajmesh apo ballinë gazete, në dy javët e fundit këtu në Gjermani, duket se ka nisur me rrëfimet për zhvillimet e fundit rreth ndikimeve të pritshme të krizës me euron. Pothuajse çdo dit, çmimi për vendet më të pasura në shpëtimin e Greqisë po ngrihet, kështu që deri më tash ka arritur diku rreth €130.000.000.000.



Qeveria gjermane dhe opozita kanë vepruar gjatë gjithë kësaj kohe në një teatër produksioni, për t’ua dëshmuar votuesve – dhe taksapaguesve – se autoritetet në Berlin janë duke u kujdesur për interesat e qytetarëve, por secili e di se vendimet e shtrenjta për t’i shpëtuar grekët, janë arritur javë më parë, pavarësisht nga çmimi.

Çështja e vetme tani është se si do të ndërtohen strukturat e pagesës dhe kredive, meqë transferimi direkt i fondeve është i paligjshëm nën rregullat mbi të cilat është e bazuar euroja.


Shumë i fuqishëm për të dobëtit?


Kjo vepër teatrale filloi si një komedi apo tragjedi greke, por pa dyshim që ka nxitur implikime më të gjera për Ballkanin dhe projektin evropian në tërësi.

Pyetja e parë që mund të ngrihet është nëse është në interes të Greqisë apo ekonomive të tjera relativisht të dobëta, t’i takojnë një zone të përbashkët dhe të fuqishme valutore, në të cilën janë të përfshira edhe ekonomitë e fuqishme, siç është Gjermania, Franca apo Holanda?

Presidenti çek, Vaclav Klaus, është një nga kritikët më të artikuluar të të gjithë projektit evropian, të cilin ai e konsideron utopik, sikurse komunizmin, sepse të dy janë të ndërtuar mbi themele ideologjike, në vend të pikëpamjeve objektive mbi botën reale.

Për zotin Klaus, realiteti nuk është shkrirja e interesave të çdo shteti të BE-së, por grumbullimi i 27 vendeve anëtare, secili me historinë e tij dhe interesat nacionale. Për shkak të këtyre dallimeve, thotë ai, supershtetet evropiane janë joreale dhe madje mund të jenë të rrezikshme, nëse politikanët përpiqen të zbatojnë një ide të këtillë utopike, siç ishte rasti me komunizmin.

Klaus ka thënë së fundi në Gjermani se problemi i vërtetë për grekët është se euroja është shumë e fuqishme për ekonominë e tyre. Po ta kishin ende valutën e tyre drahma, ata do të mund ta devalvonin për 40 për qind dhe ta çlironin veten nga kriza.

Klaus, një ekonomist profesionist, ka nënvizuar se masat e këtilla janë shfrytëzuar për shekuj me radhë dhe të tilla mund të funksionojnë edhe sot për Greqinë – po ta kishte kontrollin mbi valutën e saj.

Për fat të keq nuk e ka dhe si rezultat do të jetë një dekadë borxhesh për grekët dhe shpenzimesh të mëdha për vendet tjera që shfrytëzojnë euron.

Po, cilat janë ndikimet e gjithë kësaj për Kosovën dhe Malin e Zi? Që të dyja kanë ekonomi relativisht të dobët dhe shfrytëzojnë euron, sikurse grekët.

A mund të jetë euroja burim problemesh në të ardhmen për këto dy vende? Dhe, derisa grekët janë anëtarë zyrtarë të Eurozonës dhe kanë përfaqësim në të gjithë mekanizmat relevantë që merren me valutën e përbashkët, Kosova dhe Mali i Zi janë thjesht vëzhgues “autsajderë”.


“Efekti i Athinës”

Pyetja e dytë që del nga kriza e fundit ka të bëjë me qasjen e vendeve më të pasura të BE-së karshi Ballkanit. Kur zhvillimet dramatike të ekonomisë greke u shpalosën në fillim të pranverës, media të shumta dhe politikanë shprehën “habinë” se si grekët kishin gënjyer dhe manipuluar statistikat e tyre ekonomike, për t’u kualifikuar për euron.

Tani duket se, sikurse që e tha edhe një komentator gjerman, “secili e ka ditur” se grekët nuk i kanë përmbushur kritetet objektive për euron, por janë vendet tjera që e kanë lejuar këtë vetëm për shkaqe politike. Kjo për faktin se ideja e një Bashkimi Evropian “gjithnjë e më të thellë” është kuptuar nga shumëkush në Evropën Perëndimore si një akt besimi fetar.

Tani duket sikur Gjermania dhe shumë vende të tjera të pasura të BE-së kanë dyshime për Ballkanin në përgjithësi. Për shembull, ato vendet e pasura ka pak gjasë ta lejojnë Bullgarinë të realizojë synimin për të përfituar euron deri më 2014-ën, sepse Bullgaria ka gënjyer në të kaluarën rreth zbatimit të reformave dhe “luftës” kundër korrupsionit dhe tani nuk mund t’i besohet më.

Pas përvojës së fundit me Greqinë, vendet sikurse Austria apo Gjermania do t'i shikojnë me kujdes procedurat e kualifikimit të vendeve të reja për Eurozonë dhe ka gjasa të jenë në formë specifike kritikë karshi Bullgarisë, thjesht për shkak të gënjeshtrave në të kaluarën.

Madje, edhe më keq, zyrtarët në Shkup dhe Beograd kanë frikë se kriza greke do ta detyrojë Brukselin të ngadalësojë ritmin në pranimin e anëtarëve të rinj nga Ballkani. Maqedonia, mbi të gjitha, është e shqetësuar se politikanët grekë tani do të kenë edhe më shumë energji për të bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO, për shkak të “kontestit mbi emrin”.

Arsyeja është e thjeshtë: politikanët grekë tani mund t’u drejtohen votuesve me tone të ashpra për Maqedoninë, në kohën kur këta votues janë të zemëruar për shkak të borxheve dhe shtrëngimeve buxhetore, mbi të cilat politikanët s’mund të bëjnë gjë. Kjo për faktin se masat e reja buxhetore janë diktuar nga vendet më të fuqishme, si kusht për ta ndihmuar Greqinë të dalë nga kriza.


Ta mendosh të pamenduarën

Pyetja e tretë që mund të ngrihet është nëse të paguash një shumë kaq të lartë parash për të shpëtuar Greqinë, do të mund ta zvogëlojë entuziazmin në Gjermani dhe disa vende të tjera të pasura evropiane për projektin evropian në përgjithësi. Kjo pyetje do të jetë madje edhe më e pranishme nëse Irlanda, Portugala apo vendet tjera të Eurozonës ecin drejt rrugës, në të cilën Greqia tashmë ka hyrë.

Deri më tash, ideja e BE-së si një zhvillim i pashmangshëm, moral dhe historikisht pozitiv, nuk është vënë asnjëherë në pikëpyetje në Gjermani. Kur një politikan amerikan, para disa vitesh, e quajti BE-në “një eksperiment”, kishte shpërthim zemërimi dhe tmerri në gjithë Evropën Perëndimore.

Më 2007-ën, kur i propoziva një grupi zyrtarsëh nga Qeveria italiane e qendrës së majtë në Romë, që BE-ja mund të mos ekzistojë pas 10 vjetësh, reagimi ishte shokues dhe tmerrues.

Gjermanët ishin dhe janë besimtarë të mëdhenj të projektit evropian, sepse u mundëson të dominojnë kontinentin (në partneritet me francezët), duke shmangur dhe mohuar aspektet më të errëta të së kaluarës së tyre të dhunshme dhe nacionaliste. Por, tani duket se të shumtë janë ata në Gjermani që mendojnë se të pëlqesh thellimin e BE-së, gjithashtu nënkupton burokraci më të madhe dhe borxhe më të mëdha.

Disa komentatorë kanë filluar ta pyesin veten nëse Klaus kishte të drejtë kur tha se Evropa nuk ka nevojë për super mekanizma midis shteteve, por vetëm bashkëpunim të mirë midis krerëve të shteteve apo qeverive të tyre.

Fakti se së fundi Klaus është ftuar për të dhënë një fjalim mbi politikën evropiane në Universitetin Humboldt në Berlin dhe një intervistë të zgjeruar në të përditshmen prestigjioze “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka kuptimin e vet.

Vetëm para disa muajsh, pikëpamjet e tij kritike mbi BE-në s’do të konsideroheshin fare serioze apo të pranueshme nga publiku politik gjerman. Tani, të paktën disa njerëz janë të gatshëm ta thërrasin dhe dëgjojnë atë.

Në frymën e këtyre dyshimeve në rritje mbi projektin evropian në Evropën Perëndimore dhe për shkak të shqetësimeve në Ballkan se vendet e Ballkanit duhet të presin më gjatë për t’iu bashkuar BE-së, disa njerëz në ish-Jugosllavi dhe Shqipëri do të mund ta pyesnin vetveten nëse ndjekja e rrugës për anëtarësim në BE është opsioni i tyre i vetëm për të ardhmen.

Mbase, do të mund të negocionin për atë, të cilën kancelarja gjermane, Angela Merkel, e quan “partneritet të privilegjuar”, duke mundësuar tregti dhe liri lëvizjeje, por jo detyrime për të synuar integrim total, gjë e cila mund të mos mirëpritet apo edhe mund të mos ndodhë kurrë.

Ish-kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, e cila ndan shumë nga pikëpamjet e Klausit mbi BE-në, pati shkruar në librin e saj të vitit 2001 “Statecraft” (Ndërtimi i shtetit), se vendet e Evropës Lindore duhet të kërkojnë rrugë për t'i zhvilluar dhe modernizuar ekonomitë e tyre, duke mos i detyruar ato t’u nënshtrohen dominimeve nga jashtë, qoftë nga burokracia në Bruksel apo nga vendet tjera më të mëdha të BE-së.

Mbase, ia vlen që pikëpamjet e saj, sikurse edhe ato të zotit Klaus, të rishikohen.

* * *

Patrick MOORE ka shkruar për zhvillimet në Ballkan për më shumë se 35 vjet. Ai ka qenë edhe analist i Radios Evropa e Lirë nga viti 1977 deri më 2008.

Lexoni edhe këto: Autogoli i Serbisë
Jeta normale në një vend normal
Politika dyfytyrëshe
Biznes apo politikë?


XS
SM
MD
LG