Bashkimi Evropian ka konsensus të plotë rreth perspektivës evropiane të rajonit, përfshirë dhe Kosovën, tha në Mitrovicë komisionari i Bashkimit Evropian për zgjerim, Shtefan Fyle.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, ai mori pjesë në përurimin e Qendrës Informative, si dhe vizitoi Shtëpinë e BE-së në veri të Mitrovicës.
Banorët e atjeshëm, zyrtari i lartë evropian i siguroi se e ardhmja e tyre është e lidhur ngushtë me integrimet evropiane.
“Ishte e rëndësishme për mua ta vizitoj këtë pjesë të Kosovës, që të sigurohem për shtimin e pranisë së BE-së në këtë pjesë. Vendet e BE-së në tërësi pajtohen rreth së ardhmes dhe perspektivës evropiane të rajonit”, tha Fyle.
Ai tha se gjatë kësaj vizite në veri kishte biseduar me zyrtarët e atjeshëm të BE-së se çfarë mund të bëhet më shumë që të ndihmohet veriu i Kosovës në zhvillimin ekonomik.
BE-ja, nënvizoi Shtefan Fyle, ka investuar rreth 20 milionë euro në veri të Kosovës dhe se trendi i investimeve do të vazhdojë.
“Qëllimi ynë është që t’u ndihmojmë autoriteteve lokale që t’u sigurojnë banorëve shërbimet më të mira, qoftë në edukim, shëndetësi apo fusha të tjera. Me siguri se është në interesin e të gjithëve të keni një polici të mirë e efikase, si edhe gjykata që funksionojnë. Kjo është një çështje, në të cilën po punojmë dhe do të angazhohemi muajt e vitet në vijim”, theksoi Fyle.
Zyrtari i lartë evropian mbajti edhe një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Mitrovicës, si dhe mori pjesë në disa aktivitete që i paraprijnë shënimit të Ditës së Evropës.
Dje, Fyle zhvilloi takime edhe me kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës. Ai u kërkoi autoriteteve kosovare angazhime në përmbushjen e prioriteteve dhe sfidave nga raporti i progresit, duke kërkuar sidomos rezultate konkrete në luftimin e dukurive negative, si: krimi i organizuar dhe korrupsioni.