Ndërlidhjet

Eurozona shpalos planin emergjent për Greqinë

  • RFE /RL

Udhëheqësit e vendeve të eurozonës thanë se po krijojnë një fond të ri të krizës, për t’i ndihmuar vendet e trazuara që përdorin euron, të pengojnë dobësimin e mëtejmë të valutës së përbashkët evropiane.

Liderët e 16 shteteve që përdorin euron, gjithashtu janë dakorduar të imponojnë kufizime të papërcaktuara ndaj spekulatorëve, të cilët i fajësojnë për sulmet ndaj euros.

Në samitin në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, ata gjithashtu kanë dhënë pëlqimin për marrëveshjen me BE-në dhe FMN-në, që Greqia të marrë 110 miliardë euro ndihma brenda tri viteve.

Këtë javë, euroja ra deri në 1,25 dollarë, ndërkohë që kriza greke e lëkundi edhe besimin e tregjeve financiare në aftësinë e disa shteteve më të dobëta të BE-së që të mund t’i kthejnë prapë huat.

Kryetari i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso, tha se vendet e eurozonës janë të gatshme të ndërmarrin çfarëdo hapi të nevojshëm për të mbrojtur stabilitetin e valutës së përbashkët.

“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur stabilitetin financiar, jo vetëm në Greqi, por në të gjithë eurozonën. Ajo që mund të shihni sot është një eurozonë e bashkuar rreth valutës së saj, euros”, tha Barroso.

Tregtarët e financave kanë vazhduar të shesin euron, pavarësisht miratimit të huas prej 110 miliardë eurosh për Greqinë, duke e ulur vlerën e euros dhe duke kërcënuar të provokojnë kriza tjera në vendet e eurozonës me rritje të vogël ekonomike, si Portugalia, Spanja dhe Irlanda.

Gjatë javës, tregjet e bursave në Evropë shënuan rënie të reja.

Liderët e eurozonës, të cilët janë akuzuar se me mosveprimin e tyre kanë thelluar krizën financiare në Evropë, pranuan se përballen me situatë të jashtëzakonshme, e cila kërkon “zgjidhje të jashtëzakonshme”.

Kryesuesi i euro-grupit, Zhan Klod Junker, tha se eurozona ballafaqohet me “sulm global” nga tregjet dhe kërkoi që menjëherë të vendosen masa kundër spekulatorëve. Ai tha se plani duhet të jetë i gatshëm deri në hapjen e tregjeve të hënën.

“Ne po konsiderojmë se është e sulmuar e gjithë zona e euros, dhe deri të dielën në mbrëmje duhet të formulojmë një përgjigje koherente për tërë eurozonën dhe tërë Bashkimin Evropian ndaj këtyre sulmeve kundër eurozonës, të cilat nuk janë të justifikuara”,
tha Junker.

Presidenti i Francës Nikolas Sarkozi deklaroi se shtetet e eurozonës nuk duhet të shfaqin mëshirë në përpjekjet e tyre në tregjet financiare, në mënyrë që tregtarët kurrë më të mos të mund ta vënë euron nën trysninë që e vunë pas shpërthimit të krizës greke.

Të dielën, të 27 ministrat e Financave të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm për t’i diskutuar detajet e planit.

Përveç masave urgjente për të mbrojtur euron, liderët gjithashtu ranë dakord t’i përshpejtojnë shkurtimet e buxhetit, t’i shtrëngojnë masat e buxhetit në BE dhe të dalin me sanksione më të rrepta për vendet që i tejkalojnë shpenzimet.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila përballet me rezistencë të madhe në vend për ndihmën ndaj Greqisë, sugjeroi ndryshime në traktatin e vitit 1992, i cili e shtroi rrugën për valutën e përbashkët, euron. (v.p)
XS
SM
MD
LG