Ndërlidhjet

Opozita: Jo fërkimeve me EULEX-in


Gjatë bastisjes në Ministrinë e Transportit nga ana e EULEX-it
Gjatë bastisjes në Ministrinë e Transportit nga ana e EULEX-it

Opozita në Kosovë ka bërë thirrje për mos-tendosje të raporteve të institucioneve me misionin evropian për sundimin e ligjit. Qëndrimet e partive opozitare parlamentare pasojnë mospajtimet e kreut të Qeverisë me mënyrën e bastisjes së Ministrisë së Transportit nga ana e EULEX-it. Opozita ka inkurajuar misionin e EULEX-it, që t’i çojë deri në fund hetimet.


Opozita në Kosovë ka tërhequr vërejtjen se nuk duhet të prishen raportet me misionin evropian për sundimin e ligjit. Fërkimet mes EULEX-it dhe autoriteteve të Kosovës, sipas partive opozitare, janë parë pas bastisjes që EULEX-i kreu në Ministrinë e Transportit, nën dyshimet për korrupsion.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për gazetarë, ka tërhequr vërejtjen se, siç ka thënë ai, nuk është vetëm një ministër i dyshuar për korrupsion, por i tërë sistemi qeverisës është në funksion të këtij fenomeni.

“Korrupsioni në një qeveri nuk mund të ndodhë pa involvimin e kryeministrit. Për këtë arsye, problemi është më i madh, bëhet fjalë për një sistem të korruptuar paralel qeverisës në kuadër të sistemit. Ky sistem duhet të shkojë dhe rezultat i kësaj, dalja nga gjendja e tashme. Duhet të ndalet sistemi, jo vetëm rasti Limaj, por edhe rastet tjera duhet të ndalen”, ka thënë Haradinaj, i cili ka prezantuar një analizë, mbi ato që i quajti defekte të qeverisë aktuale, e të cilat po i shkaktojnë humbje të mëdha vendit.

Një javë më parë, EULEX-i kishte bastisur Ministrinë e Transportit për të hetuar, siç është thënë, tenderët e rrugëve të periudhës 2007-2009. Prokurori i EULEX-it, Johanes Van Vresuijk, ka thënë se bëhet fjalë për miliona euro që dyshohet se janë keqpërdorur.

Autoritetet kosovare, pothuaj një javë pas bastisjes, kanë dalë me qëndrimet e tyre, duke kritikuar misionin evropian për mënyrën se si ka intervenuar dhe duke thënë se nuk janë gjetur fakte për keqpërdorime.

Nënkryetari i subjektit tjetër opozitar, Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Gashi, gjatë një konferencë për media, ka thënë se institucionet duhet të kultivojnë raporte të mira me EULEX-in, sepse këto raporte në fakt janë me BE-në.

Gashi, gjithashtu, ka thënë se askush nuk është mbi ligjin dhe se duhet lejuar organet e drejtësisë që ta kryejnë punën e tyre.

“Kërkojmë që të mos ketë fare fërkime, që të respektohet edhe autoriteti i EULEX-it, sepse prapa tij është e tërë BE-ja dhe mendoj se në kompetencat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, ndërtimin e shtetit ligjor, nuk besoj që duhet të ndërhyjë askush”.

“Rrjedhimisht, thënia askush nuk është mbi ligjin, duhet të demonstrohet në vepër. Duhet t’u lihet udhë jo vetëm autoriteteve ndërkombëtare, por edhe atyre vendore të drejtësisë”, ka theksuar Gashi.

Komente mbi hetimet e EULEX-it në një nga dikasteret e Qeverisë, kanë dhënë edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Dardanisë. Nënkryetari Naser Rugova, ka thënë se ky subjekt inkurajon organet e drejtësisë që ta bëjnë punën e vet.

Sidoqoftë, ai është shprehur se ndërhyrjet, sikurse javën e kaluar, e kanë ulur kredibilitetin e qeverisë.

“Me ndërhyrjen e institucioneve të sigurisë, e policëve të EULEX-it dhe hetuesve, në atë mënyrë në institucionet e shtetit - shteti i Kosovës atë ditë ka rënë në kolaps, është suspenduar”.

“Kjo qeveri e ka humbur kredibilitetin para votuesve të vet në radhë të parë, para popullit, por edhe para miqve tanë ndërkombëtarë, që tekefundit janë sponsorë të kësaj pavarësie, që e kemi”,
është shprehur Rugova.

Ndryshe, vetë ministri Fatmir Limaj, të cilit, përveç ministrisë, i janë kontrolluar edhe pronat private, ka deklaruar se është i hapur për hetime. Ai po vazhdon ta kryejë punën e tij si ministër, ndërsa deri më tani, misioni evropian nuk ka arrestuar askënd.
XS
SM
MD
LG