Ndërlidhjet

Humbjet nga mosrespektimi i CEFTA-s


Pas riaktulizimit në nivel ndërkombëtar të problemit që ka Kosova me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën lidhur me CEFTA-n, autoritetet në Prishtinë shpresojnë se çështja e bllokimit të mallrave kosovare nga këto dy shtete do të mund të zgjidhet brenda një afati më të shpejtë kohor.


Autoritetet kosovare, vlerësojnë se pa ndërhyrjen e mekanizmave ndërkombëtarë, problemi që ka Kosova me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, nuk do të mund të zgjidhet.

Ata thonë se kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e këtij problemi, por deri më tani nuk kanë pasur sukses. Drejtori i departamentit të tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Flamur Keqa, thotë se gjatë përpjekjeve të tyre, kanë hasur në shumë vështirësi.

“Kjo çështje është problem politik dhe derisa nuk zgjidhet në aspektin politik, do të ketë probleme të tilla. Megjithatë, MTI-ja këtë problem e ka kuptuar shumë seriozisht dhe të gjitha problemet që ndodhin me qarkullimin tregtar me Serbinë dhe Bosnjën trajtohen nëpër forumet që janë të përcaktuara me marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA”,
shprehet Keqa.

Por, se sa ka humbur Kosova që nga 3 dhjetori i vitit 2008, kur Serbia dhe Bosnja bllokuan produktet e Kosovës për shkak të ndërrimit vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në doganat e Kosovës, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thonë se nuk kanë të dhëna të sakta.

Mirëpo, prodhuesit kosovarë janë ata, të cilët tregojnë për humbjet që kanë pësuar. Vreshtaria dhe veraria “Stone Castle” në Rahovec është vetëm njëra ndër prodhuesit kosovarë, që për shkak të bllokimit të produkteve të Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka pësuar humbje të mëdha. Menaxheri i përgjithshëm i kësaj kompanie, Shani Mullabazi, jep më shumë detaje.

“Humbjet është vështirë që të kuantifikohen, por janë humbje afatgjata. Do të thotë, që kur një treg humbet, humbja është afatgjate dhe është vështirë të rikthehet. Është vështirë të kuantifikohen në këtë moment humbjet, por doemos janë të mëdha”, thotë Mullabazi, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrë masa urgjente për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Problemi me Serbinë dhe Bosnjën është përcjellë me zhurmë dhe me pakënaqësi të mëdha te komuniteti i biznesit, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa në drejtim të aplikimit të parimit të reciprocitetit, i cili nuk është i ndaluar as me rregulla të CEFTA-s, e as me rregulla të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shpreh mendimin se autoritetet kosovare kanë qenë shumë pasive për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ne kemi informata se vetëm një letër është dërguar në sekretariatin e CEFTA-s, dhe nuk është bërë ndonjë gjë tjetër në këtë drejtim. Përkundrazi, Ministria e Tregtisë ende mendon se kjo çështje mund të zgjidhet vetvetiu”.


“Pra, përveç problemit politik që lidhet me Bosnjën dhe Serbinë, kemi një mosgatishmëri dhe mospërgatitje profesionale brenda MTI-së në adresimin e problemeve që lidhen me CEFTA-n”, shprehet Rukiqi.

Autoritetet kosovare kishin hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit kohë më parë, pasi që një vendim të tillë e kishin konsideruar si një veprim, i cili kurrë nuk ka sjellë lumturi te popujt, por vetëm ngatërresa.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit të Tregtisë në MTI, Flamur Keqa, thotë se duhet të krijohen rrethana, në cilat do të mund të zgjidhet ky problem, pasi që, siç shprehet ai, kjo do të ishte në të favor të tri shteteve.

“Shpresoj që do të mbisundojë motivi ekonomik dhe kjo, detyrimisht, do të ndikonte që këto barriera që paraqiten ndaj ekonomisë kosovare, të
eliminohen apo të reduktohen në një masë të madhe”,
thekson Keqa.

Ndryshe, Kosova, ashtu si edhe Serbia e Bosnja, është nënshkruese e marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA, e cila ka gjithsej tetë anëtarë.

Por, në emër të Kosovës ka nënshkruar përfaqësuesi i UNMIK-ut, ndërkohë që Serbia njeh ende si autoritet legal në Kosovë UNMIK-un, ndërsa bazë legale rezolutën 12 44.
XS
SM
MD
LG