Ndërlidhjet

300 euro nuk mjaftojnë!


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Paga mesatare për punëtorët që punojnë në institucionet publike sillet deri në 300 euro. Kjo shumë nuk mjafton as për përmbushjen e nevojave elementare, thonë disa qytetarë dhe përfaqësues të qeverisë.


Pagat mesatare në Kosovë janë të nivelit të ulët, madje nuk mjaftojnë për një jetë të dinjitetshme, thonë disa qytetarë dhe zyrtarë qeveritarë.

Nexhat Syla nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se në bazë të statistikave të vitit 2009, paga mesatare për punëtorët e sektorit publik është 304 euro.

“Paga mesatare, sipas nivelit qendror, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, është 345.5 euro, ndërsa niveli komunal është 271 euro. Si total i kësaj, mund të themi se 304 euro është paga mesatare”, thotë Syla.

Disa qytetarë pohojnë se standardi i jetesës në Kosovë varet nga niveli i pagave që marrin punëtorët, ndërkohë mesatarja e pagave përballë çmimeve në treg, është e pamjaftueshme.

Njëri prej atyre që merr pagë të ulët është edhe Isa Elezi, profesor në Universitetin e Prishtinës.

“Pagat janë të ulëta. Për një familje 4-anëtarëshe, kjo pagë i bën 15 ditë. Pas 15 ditësh duhet të marr para hua, deri me datën 1. Në qoftë se llogariten edhe rryma, uji dhe gjërat komunale, ushqimi është shumë i shtrenjtë, veshmbathja është më e lirë. Mirëpo, ushqimi është me çmime ekstreme të larta në krahasim me vendet tjera që na rrethojnë”, thekson Elezi.

Edhe Fikrije Gashi pohon se pagat që marrin punëtorët që punojnë në sektorin publik, janë më të ulëtat në rajon. Ajo thekson faktin se pagat në Kosovë nuk mjaftojnë as për gjërat elementare:

“Në përgjithësi nuk jam e kënaqur as unë, as mbarë populli jonë”.

Kasum Morina punon në Ministrinë e Bujqësisë. Ai thotë se në këtë institucion paga mujore arrin deri në 300 euro, shumë kjo që, sipas tij, është e pamjaftueshme.

Pagat që marrin shërbyesit civilë, shprehet Morina, janë në s’përputhje të madhe me pagat në disa institucione të larta të Kosovës dhe disa ndërmarrje publike.

“Jo, nuk jemi të kënaqur me pagat. Kryesisht fillon prej 250 deri në 300 euro. Mjaftojnë për gjysmë muaji. Duhet të bëhet një balancim, sepse ata marrin shumë më shumë se ne që punojmë nëpër institucione”, thotë Morina.

Si rrjedhojë, shërbyesit civilë, tashmë kanë paralajmëruar se pas datës 11 maj, do të mbajnë grevë njëditëshe nëpër vendet e tyre të punës, me të vetmen kërkesë - rritjen e pagave për punëtorët, të cilët paguhen nga buxheti i Kosovës.
XS
SM
MD
LG