Ndërlidhjet

Integrimi në BE kërkon reforma të thella


Selia e Bashkimit Evropian

Selia e Bashkimit Evropian

Vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian duhet të kalojnë nëpër reforma rrënjësore politike dhe ekonomike, tha të dielën në Prishtinë, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Renzo Davidi. Këto komente ai i bëri në një debat të organizuar në Ditën e Evropës, ku morën pjesë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.


Integrimi i vendeve në Bashkimin Evropian kërkon plotësimin e shumë kritereve politike dhe ekonomike, u tha sot në një debat në lidhje me Kosovën dhe BE-në, të organizuar në Ditën e Evropës.

Aty morën pjesë zyrtarë evropianë të pranishëm në Kosovë, si dhe ministra të Qeverisë vendore.

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Renzo Davidi, tha se para integrimit në Bashkimin Evropian, vendet duhet të transformohen duke krijuar një qëndrueshmëri politike dhe ekonomike, ku do të respektohen të drejtat universale të njeriut.

“Kriteret politike kanë të bëjnë me ndërtimin e një shoqërie demokratike, në të cilën respektohen të drejtat universale të njeriut, kurse kriteret ekonomike kërkojnë krijimin e një ekonomie tregu”, tha Renzo Davidi.

Ky transformim, vijoi ai, nuk është i lehtë dhe kërkon shumë mund dhe djersë. Por, plotësimi i kritereve për integrim në BE, sipas zyrtarit evropian, nuk duhet nënkuptuar vetëm si synim për t’iu bashkuar Evropës, por edhe si qëllim i zhvillimit të brendshëm të një shteti.

“Ky është një proces që kërkon një vendosmëri të lartë politike dhe përkushtim, si nga lidershipi, ashtu edhe shoqëria e një vendi”, tha Renzo Davidi.

Që ky proces të jetë i suksesshëm, ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që agjenda e integrimeve të jetë një nga top-prioritetet e saj.

Ndërkaq, ministri i Integrimeve në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj, përmendi disa nga prioritetet, të cilat Kosova i ka në agjendën e saj drejt BE-së. Në mesin e këtyre prioriteteve ai përmendi edhe luftimin e korrupsionit dhe ekonomisë joformale.

“Ne i kemi identifikuar dhjetë prioritete strategjike për vitin 2010, të cilat kërkojnë: ngritjen e kapaciteteve, fuqizimin e institucioneve në fushën e integrimeve, reformën e administratës, reformën gjyqësore, luftimin e korrupsionit, përmirësimin e prokurimit publik, liberalizimin e vizave, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare, garantimin e lirisë së shprehjes, bashkëpunimin rajonal dhe luftimin e ekonomisë joformale”, theksoi ministri Beqaj.

Ndryshe, shënimi i 9 Majit - Ditës së Evropës, tashmë është bërë tradicional në Kosovë. Për shënimin e kësaj dite, të dielën u organizuan një sërë aktivitetesh, filluar nga gjysmë-maratona e Prishtinës e deri tek aktivitete tjera me të rinj e fëmijë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG