Ndërlidhjet

Ringjallen thirrjet për zgjedhje të parakohshme


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Raportet e krijuara mes Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it e ICO-së, pas bastisjeve në Ministrinë e Transportit, si dhe deklarata e zyrtarit të LDK-së, Isa Mustafa, që i bën thirrje partisë të dalë nga koalicioni, kanë ngjallur reagime tek opozita.



Opozita dhe analistët i shohin zgjedhjet e lira parlamentare si opsion më të mirë, krahasuar me vazhdimin e qeverisjes aktuale në Kosovë.

Raportet e krijuara në relacionet ndërmjet Qeverisë në njërën anë dhe EULEX-it e Zyrës Civile Ndërkombëtare në anën tjetër, pas bastisjeve të bëra në Ministrinë e Transportit, si dhe deklaratat e zyrtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, që të rishqyrtohet koalicioni aktual PDK-LDK, opozita i sheh si reflektim të një ngërçi politik, që si zgjidhje mund t’i ketë vetëm zgjedhjet e parakohshme.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se partitë më të mëdha mund t’i fillojnë qysh tash konsultimet, në mënyrë që të shkohet kah zgjedhjet e lira, të cilat, sipas tij, do të duhej mbajtur jo më larg se pas gjashtë muajve.

“Rruga e vetme është caktimi i zgjedhjeve nacionale, në mënyrë që të kemi një proces zgjedhor dhe një qeveri tjetër stabile, bashkëpunuese dhe pro-perëndimore. Gjatë kësaj periudhe do të duhej që partitë politike të krijojnë një tavolinë të përbashkët, në nivel liderësh, për të marrë përsipër udhëheqjen ose ruajtjen e interesave nacionale të Kosovës”, thekson Ramadani.

Ndërkohë, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se raportet ndërmjet Qeverisë dhe EULEX-it tashmë po reflektohen negativisht në zhvillimin e vendit. Ai nuk e përjashton as mundësinë e krijimit të një qeverie teknike deri në zgjedhjet e ardhshme.

“Ka filluar edhe një përplasje ndërmjet Qeverisë dhe EULEX-it, e cila në këtë fazë nuk është edhe aq e theksuar. Por, megjithatë, ka rreziqe që këto përplasje të thellohen edhe më tutje dhe të kemi një ngërç në zhvillimin e proceseve, e në veçanti në kohën kur para vendit ka shumë sfida, si: mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pastaj kërkesat për bisedimet e ashtuquajtura teknike me Serbinë, që natyrisht do të kërkonin një qeverisje me legjitimitet të plotë”, thotë Makolli.

Dje, kryetari i Prishtinës, njëherësh njëri nga zyrtarët e LDK-së, Isa Mustafa, i sugjeroi partisë së tij që ta rishqyrtojë pozicionin në qeverinë aktuale, pas zhvillimeve të fundit në raport me EULEX-in, duke e cilësuar atë si një qeverisje jo të mirë.

“Nuk shoh kurrfarë arsyeje që LDK-ja edhe më tutje të jetë bashkëpjesëmarrëse në një qeverisje të tillë. Mendoj se edhe me këto ngjarje, kjo qeverisje tregoi se nuk është efektive, nuk është e drejtë, nuk është qeverisje e mirë, prandaj nuk kemi arsye të jemi pjesë e një qeverisjeje, e cila po tregohet se nuk është e mirë”,
deklaroi Isa Mustafa.

Duke iu referuar deklaratës së Mustafës, analisti Bardh Hamzaj thotë se këso lloj deklaratash janë dëgjuar edhe në të kaluarën, gjatë kohës së fushatës elektorale.

Por, ai beson se një deklaratë e tillë, megjithatë, duhet nënkuptuar si serioze, pavarësisht se nuk beson që prapa saj mund të jetë edhe njeriu numër një në LDK, Fatmir Sejdiu, dhe disa zyrtarë të tjerë me ndikim në këtë parti politike.

“Nuk mendoj se Isa Mustafa këtë po e bën vetëm për marketing dhe për ta mbajtur gjallë idenë e drejtimit të kurrizit të LDK-së. Por, Isa Mustafa dhe njerëzit që eventualisht e përkrahin atë, nëse munden, do të korrigjojnë çfarëdo qoftë në raportet me PDK-në deri te dalja nga kjo qeveri”.

“Pak jam skeptik në këtë aspekt, ngase njëri nga mbështetësit e tij, Bujar Bukoshi, ndërkohë ka pranuar ftesën e Thaçit për të qenë ministër në qeverinë e tij, që nënkupton se ai më nuk ka kredibilitet të vazhdojë politikën që e ka mbështetur Isa Mustafa gjatë fushatës”,
thekson Hamzaj.

Analisti Bardh Hamzaj pret që krerët e Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës t’i rishqyrtojnë pozicionet e tyre në raport me EULEX-in dhe ICO-në, duke kërkuar që marrëdhëniet me këta mekanizma ndërkombëtarë të përmirësohen, pasi që, në të kundërtën, një gjendje siç është sot, sipas tij, mund t’i kushtojë shumë Kosovës në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

Kurse, çdo vazhdim i hetimeve nga ana e EULEX-it në cilëndo ministri qoftë, sipas Hamzajt, tregon qartë se zgjedhjet e lira mbeten opsioni i vetëm.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG