Ndërlidhjet

Plani për shpëtimin e euros

  • RFE /RL

Angela Merkel

Angela Merkel

Autoritetet në Evropë kanë vlerësuar lart planin masiv të shpëtimit, që për synim ka të ndalojë thellimin e krizës në Greqi dhe zgjerimin e saj. Ministrat e financave të Bashkimit Evropian janë pajtuar mbi masat emergjente që do të kushtojnë 440 miliardë euro. Së bashku me kontributet nga Komisioni Evropian dhe FMN-ja, totali i pakos arrin deri në 750 miliardë euro.



Liderët evropianë kanë shprehur optimizmin e tyre se plani prej 750 miliardë eurosh për t’i parandaluar krizat që zhvlerësojnë valutën evropiane, po funksionon ashtu siç kanë shpresuar.

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, e ka cilësuar këtë plan si të mirë për ekonominë evropiane dhe atë globale në përgjithësi.

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus-Kan, e ka vlerësuar si “hap të madh përpara”. Ndërkaq, në Berlin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka përshkruar këtë hap si të domosdoshëm për të mbrojtur euron.

"Kjo pako ka për synim të sforcojë dhe mbrojë valutën tonë të përbashkët. Është një hap i paprecedentë në historinë e euros dhe të Bashkimit Evropian dhe ne jemi duke e mbrojtur valutën tonë në një situatë të jashtëzakonshme. Për qytetarët tanë, më lejoni t’ua them këtë: jemi duke mbrojtur paratë e qytetarëve në Gjermani”, ka thënë zonja Merkel.

Pas 11 orë bisedimesh që vazhduan dhe në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, minsitrat e financave të Bashkimit Evropian ranë dakord për një kontribut financiar shumë më të madh se çdo marrëveshje e mëparshme, për t’i qetësuar tregjet financiare dhe për të parandaluar “sëmundjen ngjitëse të borxhit grek”.

Paketa e shpallur sot herët në Bruksel do të jetë një përzierje e kredive dhe garancive me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sipas planit trevjeçar, vendet e Eurozonës do të premtojnë mbështetje në vlerë prej 440 miliardë eurosh për qeveritë që përballen me kriza të borxhit, si Greqia, Spanja, Ialia dhe Portugalia.

FMN-ja do të kontribuojë rreth 250 miliardë euro, përderisa vetë Komisioni Evropian do të sigurojë 60 miliardë të tjera hua.

Olli Ren
Olli Ren, komisionar evropian për çështjet ekonomike dhe monetare, ka thënë se problemet e tanishme janë një sfidë sistematike për stabilitetin financiar të Eurozonës. Ai ka thënë se kërcënimi nuk është vetëm ndaj një shteti anëtar, porse është një kërcënim për stabilitetin e gjithë Eurozonës, si dhë të gjithë Bashkimit Evropian.

“Në përgjithësi, përpjekjet fiskale të vendeve anëtare të BE-së, ndihma financiare nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare, si dhe veprimet e marra sot nga Banka Qendrore Evropiane tregojnë se ne do ta mbrojmë euron”, ka thënë Ren.

Por, kjo pako shpëtimi ka edhe kushtet e veta.

Zonja Merkel ka thënë se nga vendet e Eurozonës do të kërkohet t’i përshpejtojnë përpjekjet e tyre në trajtimin e problemeve fiskale.

"Qasja për garantuesit, gjë të cilën jemi duke e hartuar për ata që kanë nevojë ta mbrojnë euron, do të jetë e ndërlidhur me konsolidimin e programeve të prezantuara në FMN dhe në Bashkimin Evropian. Ato do të kontrollohen rregullisht. Të gjitha vendet anëtare të Eurozonës janë pajtuar që ta përshpejtojnë konsolidimin e buxheteve të tyre”, ka thënë zonja Merkel.

Bankat e mëdha qendrore gjithashtu janë përfshirë në këtë përpjekje të koordinuar.

Rezerva federale amerikane, ndërkaq, ka thënë se do t’i këmbejë dollarët me valutat tjera monetare nëpër disa banka qendrore, për të siguruar që këto banka t’i kenë dollarët që u nevojiten. (v.t.)
XS
SM
MD
LG