Ndërlidhjet

Banorët kroatë të fshatrave Letnicë dhe Shosharë të Vitisë jetojnë në kushte të rënda jetese. Aty kanë mbetur rreth 40 kroatë, shumica në moshë të shtyer. Në mesin e tyre ka dhe të kthyer. Por, të gjithë thonë se e kanë të vështirë jetesën.



Fshati Letnicë i komunës së Vitisë, i cili shtrihet rrëzë maleve në afërsi të trekëndëshit kufitar Kosovë-Serbi-Maqedoni, para fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ka qenë kryesisht i banuar me kroatë dhe shqiptarë të besimit katolik.

Por, që nga fillimi i viteve ‘90, kroatët e Letnicës dhe fshatit fqinj Shosharë, në vazhdimësi kanë lënë shtëpitë e pronat dhe janë shpërngulur në Kroaci.

Banorët e këtyre dy fshatrave nuk e dinë saktë se sa ka qenë numri i kroatëve që jetonin aty më parë, por, aktualisht, në Letnicë jetojnë rreth 30 kroatë, ndërkohë që në Shosharë vetëm 10 prej tyre, shumica të shtyer në moshë.

Maria Periq, 76 vjeçe, thotë se jeton e vetmuar në shtëpinë e saj në Letnicë, me kushte të vështira për jetesë dhe në pamundësi për të punuar tokën, për shkak të moshës.

“Burri im është i sëmurë dhe ka shkuar me fëmijët në Kroaci. Unë jam e vetmuar këtu. Nuk mund ta lë këtë vend, në të cilin kam derdhur mund. Tash rri vetëm. Djali im i ka 5 fëmijë dhe të gjithë kanë shkuar. Janë frikësuar dhe kanë ikur para më shumë se 10 vjetësh, kur ishte luftë. Askush nga të rinjtë nuk guxonte të qëndronte, sepse frikoheshin se do t’i merrte ushtria serbe”,
rrëfen zonja Periq.

Ajo thotë se jeton në kushte të rënda, me ndihmën sociale për të moshuarit.

“Jetoj me pensionin prej 40 eurosh. Më mjaftojnë ose jo, aq janë, edhe në qoftë se vuajmë nga uria. S’ka kush të punojë. Unë nuk mundem. Kam syzet, por nuk i bart dot, sepse kam kokëdhembje dhe ndjej plogështi. Jeta nuk më do më, sepse jam në moshë të shtyer”,
shprehet zonja Periq.

Por, pavarësisht kushteve të rënda të jetesës, Viktor Paviq, në moshë rreth të tridhjetave, tre muaj më parë ishte kthyer nga Kroacia që të jetojë në vendlindjen e tij në Letnicë.

“Unë kam lindur këtu, por kam jetuar në Kroaci që kur filloi lufta. Tash jam kthyer këtu, tash e tre muaj. Më kanë ofruar mundësi për riparimin e pronës, më kanë dhënë një lopë. Jam kthyer në vendlindjen dhe pronën time, por nuk e kam familjen këtu”, thotë zoti Paviq.

Banorët kroatë të Letnicës thonë se në disa raste ata i ka ndihmuar edhe kisha katolike e këtij fshati, e cila quhet “Ngritja e Zonjës së Bekuar në Qiell” dhe e cila është ndër më të njohurat në Kosovë.

Ngjashëm thonë edhe banorët e paktë kroatë që jetojnë në fshatin Shosharë, të cilët në mesditë po shkonin në meshën që mbahej në këtë kishë. Mata Matiq, 75-vjeçar nga Shoshara, thotë se ai dhe bashkëshortja e tij mbijetojnë nga bujqësia, por me vështirësi për shkak të moshës.

“Kemi mbetur vetëm dy pleq. Gruaja ime i ka 78 vjet, ndërkaq unë 75. Ne kemi mbetur këtu, ndërkaq që në fshatin tim janë krejtësisht 10 njerëz. Nuk kemi kurrfarë jetese. Njerëzit tanë kanë shkuar në Kroaci. Kemi mbetur të gjithë pleqtë. Nuk kemi ndonjë mbrojtje nga komuna e Vitisë”, thotë zoti Matiq.

Ai thotë se banorët kroatë të Shosharës kanë probleme edhe me ujin e pijshëm, për shkak se u vidhet uji nga burimi nga, siç i quan ai, njerëz të pandershëm, të cilët njëkohësisht edhe ua dëmtojnë pronën.

Edhe Jovana Ajtiq, 56-vjeçare nga Shoshara, thotë se jeton e vetmuar në shtëpi dhe se pas vdekjes së bashkëshortit mezi mbijeton.

“Jam në shtëpinë time. Por, nuk kam bagëti, miell, vaj... nuk kam asgjë që nevojitet për shtëpi. Na japin vetëm nga 40 euro, por me to nuk arrij të heq ndonjë hall dhe mbijetoj nga njëri muaj në tjetrin. Megjithëkëtë, nuk mund të shkoj nga ky vend, sepse nuk do të mund ta duroja zbrazëtinë që do të më krijohej”, shprehet zonja Ajtiq.

Banorët kroatë të fshatrave Letnicë dhe Shosharë shpresojnë në institucionet kosovare që t’i ndihmojnë për të mbijetuar, por edhe, siç thonë ata, t’i mbrojnë nga njerëzit e pandershëm që ua dëmtojnë pronat.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG