Ndërlidhjet

Gordon: SHBA-të kundër ndarjes së Kosovës


Filip Gordon

Filip Gordon


Shtetet e Bashkuara janë kundër ndarjes së Kosovës, të cilën e njohin si shtet të pavarur e sovran, dhe konsiderojnë se Beogradi dhe Prishtina duhet të bisedojnë sa më parë, jo për statusin, por për zgjidhjen e problemeve praktike, deklaroi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon.

Në një intervistë për agjencinë Beta, Gordon tha se integrimi evropian i Serbisë dhe gjithë Ballkanit është “qëllim strategjik i administratës së presidentit Barak Obama”, por vlerësoi se Beogradi vështirë që do të mund të arrijë deri në anëtarësimin me raportet e pazgjidhura me Kosovën.

“Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të shërbejë si pikë kthese”, që çështja e Kosovës të tejkalohet dhe të zgjidhen problemet praktike për të përmirësuar kushtet e jetesës së të gjithë qytetarëve, tha Gordon.

“Mendoj se nevojiten bisedime të reja të Serbisë dhe Kosovës për çështjet praktike. Unë nuk do t’i quaja negociata, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe nuk mund të bisedohet për statusin e saj, por mund dhe duhet të bëhen përpjekje për t’i zgjidhur çështjet praktike”,
tha zyrtari i lartë amerikan.

Gordon konsideron se Prishtina dhe Beogradi duhet të bisedojnë drejtpërdrejt dhe se nuk ka arsye të pritet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Bisedimet mund të fillojnë menjëherë, sepse ky është një proces i dobishëm dhe i domosdoshëm, pasi disa çështje janë bllokuar një kohë të gjatë”, tha Gordon.

Në pyetjen nëse ndarja e Kosovës do të ishte e pranueshme për Uashingtonin, Gordon tha se “SHBA-të nuk e mbështesin” idenë e tillë, sepse ky do të ishte precedent, i cili do t’i nxiste mendimet për ndarje të reja, që “nuk janë në interesin e askujt”.

“Ne e pranojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe mbajmë qëndrimin se në Kosovë, të gjithë qytetarëve duhet t’u garantohen të drejtat, me një shkallë të konsiderueshme të autonomisë, me decentralizimin si parim, mbrojtjen e objekteve fetare dhe bashkësive lokale, por gjithçka të jetë në kontekst të integritetit territorial”, tha Gordon.

I pyetur nëse ndarja e Kosovës do të ishte e pranueshme në këmbim të njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, Gordon tha se “askush nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën”, duke shtuar se për Uashingtonin “ndarja nuk është opsion”.

Gordon theksoi se “përshtatja territoriale nuk do të jetë kusht” as për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Gordon i hodhi poshtë pohimet se Uashingtoni është duke menduar për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, në vend të Rezolutës 1244, duke theksuar se Kosova është e pavarur dhe se “SHBA-të nuk shohin arsye për “përpjekje të reja në KB”.

Zyrtari i lartë amerikan gjithashtu shtoi se vlerësimi i GJND-së nuk do ta ndryshojë qëndrimin e Uashingtonit për Kosovën.

Ndihmëssekretari i Shtetit, Filip Gordon, gjithashtu theksoi se Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm afrimin e rajonit të Ballkanit me Bashkimin Evropian dhe shtoi se ky është një nga qëllimet kryesore të vizitave të tij në Beograd, Prishtinë dhe Shkup. (v.p.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG