Ndërlidhjet

Në Sarajevë, vetëm si palë e barabartë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, kërkoi nga Beogradi që ta trajtojë si humanitare dhe jo politike çështjen e dhimbshme të personave të pagjetur dhe të varrezave masive. Këto komente, Hyseni i bëri pas takimit me homologun e tij nga Bullgaria, Nikollai Mlladenov, me të cilin është biseduar edhe në lidhje me pjesëmarrjen e vendeve të rajonit në Konferencën e Sarajevës.



Kosova nuk ka marrë ende ftesë nga presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian për pjesëmarrje në Konferencën e Sarajevës. Por, zyrtarët në Prishtinë konfirmojnë se nëse ftesa do t’i adresohet Kosovës për pjesëmarrje të barabartë me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, do të marrë pjesë në këtë takim.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, tha sot, pas takimit me ministrin e Jashtëm bullgar, Nikollai Mlladenov, se Kosovës nuk i ka mbërritur ende ftesa për pjesëmarrje, por ai prezantoi edhe një herë pozicionin kosovar, sipas të cilit Prishtina do të shkonte në Sarajevë.

“Në momentin që do të ketë ftesë, ne do të reagojmë. Ajo që mund të konfirmoj, është pëlqimi ynë për formatin ‘Gimnik’ të pjesëmarrjes, që garanton, përkatësisht siguron, pjesëmarrje të barabartë për të gjitha vendet. Në këtë rrafsh, Kosova ka qenë shumë fleksibile... Dhe, kjo është e tëra”, tha Hyseni.

Problemet në lidhje me organizimin e konferencës së Sarajevës janë rezultat i kushtëzimeve të Serbisë, e cila nuk pranon të marrë pjesë në takime rajonale nëse aty Kosova prezantohet si shtet.

Andaj, Bashkimi Evropian pretendon se ka gjetur zgjidhje përmes organizimit të takimit sipas modelit “Gimnik”, që nënkupton një takim joformal, ku vendet nuk prezantohen përmes simboleve shtetërore, por emrave të ministrave.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm bullgar, Mlladenov, tha se qëllimi kryesor i Konferencës së Sarajevës duhet të jetë konfirmimi i BE-së se të gjitha vendet e rajonit duhet të kenë perspektivë të qartë evropiane.

“Mesazhi më i rëndësishëm i këtij takimi është rikonfirmimi se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, është në agjendë dhe përkushtim i Evropës”
, tha Mlladenov.

Kurse, lidhur me vendet e rajonit, ai tha se në Serbi janë parë disa hapa pozitivë, si përmirësimi i raporteve me Kroacinë dhe njohja e integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Diplomati bullgar tha po ashtu se rajoni dëshiron të shohë edhe Kosovën dhe Serbinë të komunikojnë për disa çështje praktike, pavarësisht dallimeve të mëdha në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Po në lidhje me raportet Kosovë-Serbi, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, tha se nëse do të organizohen bisedimet e paralajmëruara teknike me këtë vend, Prishtina do të insistojë që Beogradi t’i trajtojë çështjet e personave të pagjetur dhe të varrezave masive si çështje humanitare dhe të mos i përdorë këto tragjedi për poena apo presion politik.

“Ne insistojmë që Beogradi të mos e përdorë çështjen e të pagjeturve si një mjet lufte diplomatike kundër Kosovës dhe kjo të vihet ekskluzivisht në rrafshin humanitar dhe të shihet si një çështje humanitare. Si e tillë, të shtrohet, të adresohet dhe të zgjidhet sa më parë. Madje, unë kam kërkuar që nëse do të ketë farë bisedash teknike me Beogardin, të jetë një nga temat e para që duhet të bisedohet”
, theksoi Hyseni.

Ministri i Jashtëm bullgar është pritur në takime të ndara edhe nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës. Bazuar në përvojat e vendit të tij, Mlladenov i inkurajoi institucionet e Kosovës që t’i luftojnë dukuritë negative, si: korrupsioni dhe krimi i organizuar.

“Rrjetet e krimit dhe të korrupsionit i kalojnë kufijtë e një vendi, kështu që nuk mund ta përjashtosh një vend në Ballkan nga ky fenomen”
, tha ministri bullgar, duke besuar se luftimi i këtyre dukurive do t’ia përmirësonte imazhin gjithë rajonit.
XS
SM
MD
LG