Ndërlidhjet

Kamerun, kryeministër i ri

  • RFE /RL

Dejvid Kamerun

Dejvid Kamerun


Lideri konservator, Dejdiv Kamerun, është emëruar kryeministër i ri i Britanisë nga Mbretëresha Elizabet.

Emërimi i tij shënon kthimin në pushtet të Partisë Konservatore pas 13 vjetësh në opozitë.

Kamerun, 43 vjeç, është kryeministri më i ri i Britanisë në afro 200 vjet.

Në fjalimin e tij, Kamerun tha se konservatorët, të cilët fituan më së shumiti ulëse në Parlament, por jo shumicën e nevojshme që vetë ta formojnë qeverinë, synojnë të formojnë një qeveri koalicioni me liberal-demokratët, të cilët dolën të tretët pas laburistëve.

“Unë synoj të formoj një koalicion të duhur dhe të plotë ndërmjet konservatorëve dhe liberal-demokratëve. Unë besoj se kjo është rruga e drejtë për t’i dhënë këtij vendi një qeverisje të fortë, stabile, të mirë dhe të ndershme, për të cilën mendoj se kemi shumë nevojë”,
tha Kamerun.

Zyrtarë të Partisë Konservatore thanë se ish-lideri i konservatorëve, Uiliam Hejg, do të shërbejë si sekretar i jashtëm në qeverinë e re, ndërsa Xhorxh Osborn, aleat i ngushtë i Kamerunit, do të bëhet ministër i Financave.

Zyrtarët konservatorë thanë se lideri i liberal- demokratëve, Nik Kleg, do të shërbejë si zëvendëskryeministër.

“Ne do të formojmë qeveri të re. Por, më e rëndësishmja është se ne do të krijojmë një lloj të ri qeverisjeje”, tha Kleg.

Më herët, Gordon Braun dha dorëheqje si kryeministër.

“Dorëheqja ime si lider i Partisë Laburiste hyn në fuqi menjëherë dhe në këtë çast dua t’i falënderoj të gjithë kolegët të mi, ministra, anëtarë të Parlamentit, dhe sidomos stafit tim, të cilët kanë qenë miqtë e mi dhe shërbyes të shkëlqyer të vendit”, tha Braun.

Partia e tij Laburiste ishte në pushtet nga viti 1997, fillimisht nën Toni Blerin, e pastaj Braunin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i ka telefonuar Kamerunit për t’ia uruar marrjen e zyrës dhe për ta riafirmuar atë që Obama e quajti “marrëdhënie të posaçme” ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.

Obama gjithashtu ka ftuar Kamerunin të vizitojë Shtetet e Bashkuara në korrik.

Kamerun gjithashtu ka pranuar thirrje telefonike dhe urime nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi.

Zgjedhjet parlamentare të 6 majit në Britani, për herë të parë pas tri dekadash, rezultuan me një parlament pa shumicë absolute. (v.p.)
XS
SM
MD
LG