Ndërlidhjet

logo-print

SHBA-të, të gatshme t'i lehtësojnë bisedimet Kosovë-Serbi


Filip Gordon

Filip Gordon

Nëse përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë përgatiten të ulen së bashku dhe fillojnë të ballafaqohen me zgjidhjen e shumë çështjeve teknike, Shtetet e Bashkuara do t’i përkrahin dhe janë të gatshme t’i lehtësojnë këto bisedime teknike, tha të mërkurën në Prishtinë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon.



Shtetet e Bashkuara të Amerikës ritheksojnë përkushtimin për integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, tha të mërkurën në Prishtinë ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Gordon.

Këto komente, zyrtari amerikan i bëri pas takimit me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni.

Gordon i dha mbështetje edhe nisjes së bisedimeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke ofruar edhe ndihmën amerikane për lehtësimin e këtyre bisedimeve, nëse të dyja vendet pajtohen që të ulen dhe të bisedojnë mes vete.

“Nëse përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë përgatiten të ulen së bashku dhe fillojnë të ballafaqohen me këto çështje teknike, kjo është diçka e mirë dhe ne do t’i përkrahim”, tha Gordon, duke ofruar edhe ndihmën amerikane në rolin e lehtësuesit të këtyre bisedimeve teknike.

Shtetet e Bashkuara, vijoi zyrtari amerikan, mbështesin integrimin e Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, për Serbinë ai tha se mendon që ky vend fillimisht duhet t’i zgjidhë dallimet në lidhje me Kosovën para se t’i bashkohet Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, tha se Kosova, duke i ditur raportet e brendshme politike në Serbi, nuk insiston që Beogradi në këtë fazë ta njohë zyrtarisht Kosovën.

Por, sipas tij, këto dallime nuk do të duhej ta pengonin Serbinë që të ulet dhe të bisedojë me Kosovën si shtet fqinj për disa çështje që janë në interes të të dyja shteteve.

“Ne nuk insistojmë që Serbia ta njohë zyrtarisht Kosovën. Por, mosnjohja zyrtare nuk duhet ta pengojë atë që me Kosovën të bisedojë si me një fqinj, me Kosovën të bisedojë si një vend me të cilin është e detyruar të jetojë në kufi, për çështje të ndryshme, të shumta, të interesit të ndërsjellë”.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të çonte mesazhe pozitive edhe në Ballkanin perëndimor, edhe më tej në strukturat e BE-së dhe në strukturat e NATO-s”,
tha Hyseni.

Një mesazh tjetër që zyrtari amerikan adresoi të mërkurën në Prishtinë ishte mbështetja e ritheksuar për misionin e BE-së për sundim të ligjit - EULEX.

Gordon tha se Shtetet e Bashkuara janë pjesë e EULEX-it dhe do ta mbështesin këtë mision në luftimin e dukurive negative, si: krimi i organizuar dhe korrupsioni.

“Korrupsioni nuk ka vend në këtë shoqëri. Nuk dua të përqendrohem në ndonjë rast specifik. Por, në përgjithësi, ne qëndrojmë pas EULEX-it, si mision që ka për qëllim të sigurojë sundimin e ligjit në Kosovë”, tha Filip Gordon.

Zyrtari amerikan është pritur në një takim të përbashkët edhe nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës. Vizita e tij në Prishtinë është pjesë e raundit diplomatik edhe në disa vende të tjera të rajonit.

Lexoni edhe këtë: Gordon: SHBA-të kundër ndarjes së Kosovës
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG