Ndërlidhjet

Strategjia për veriun- në letër apo terren?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare thonë se ka përparim në zbatimin e, siç thuhet, qasjes gjithëpërfshirëse për integrimin e veriut të Kosovës. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk duan t’i komentojnë fare zhvillimet në këtë drejtim, ndërsa opozita vlerëson se ngjarjet e fundit rreth hetimeve për korrupsion në ekzekutivin kosovar kanë lënë në hije dhe po rrezikojnë tërë projektin për veriun.


Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë duket se janë ende në kërkim të formulës adekuate për zbatimin e strategjisë për shtrirjen e autoritetit në veri të vendit.

Megjithëse mbetet i parealizuar vendimi i ekzekutivit kosovar për formimin e grupeve punuese që do ta jetësonin projektin për veriun, përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë (ICO), thonë se ka përparim të dukshëm në lidhje me dokumentin, me të cilin synohet integrimi i veriut të Kosovës.

Zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, thotë se kanë mbetur detaje që duhet të qartësohen, por strategjia, si tërësi, po zhvillohet.

“Grupet punuese janë duke diskutuar. Ne, natyrisht se mirëpresim iniciativën e Qeverisë në këtë çështje dhe si gjithnjë jemi të gatshëm të japim kontributin e ICO-së për këtë ide. Mbesin ende disa detaje që duhet të qartësohen, por do të theksoja se nuk ka dilemë që kjo çështje, si edhe qasja gjithëpërfshirëse, në tërësi, janë duke u zhvilluar”, thotë Mekgafi.

Mirëpo, vetë koordinatori i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e strategjisë për veriun, Ylber Hysa, nuk deshi ta komentojë çështjen e mosfunksionalizimit të grupeve punuese.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, ai thotë se vendimi për konstituimin e këtyre grupeve është vendim i Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Hashim Thaçi.

Përfaqësuesi i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, shpreh bindjen se ngjarjet e fundit lidhur me hetimet për korrupsion në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, kanë lënë në hije projektin për integrimin e veriut.

Tahiri thekson se këto zhvillime kanë ndikuar edhe në raportet ndërmjet Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës.

“Dokumenti strategjik për veriun ka disa veprime, të cilat kërkojnë bashkërendim dhe bashkëveprim të të dy akterëve - të Qeverisë së Kosovës dhe të ICO-së. Ndërsa, në deklaratat e fundit kemi parë se topi është duke u hedhur nga Qeveria në ICO, e nga ICO-ja në Qeveri që, në fakt, tregon për një moskonsistencë në veprimin karshi obligimit që e kemi marrë me këtë strategji”, thekson Tahiri.

Sipas Tahirit, mekanizmat përgjegjës për integrimin e veriut të Kosovës janë duke humbur kohë, derisa nën organizimin e Qeverisë së Serbisë në fund të këtij muaji do të ketë zgjedhje në veri të Kosovës.

Strategjia për integrimin e kësaj pjese të Kosovës parasheh zbatimin në terren të çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, vendosjen e dialogut dhe pajtimin ndëretnik, çështjet e zhvillimit ekonomik e social, decentralizimin, shtrirjen e shërbimeve publike dhe komunikimin.

Këto çështje thuhet se nuk mund të zbatohen brenda natës. Mekgafi sqaron:

“Askush, që i qaset kësaj çështjeje në mënyrë racionale, nuk do ta kundërshtonte faktin që kemi një situatë shumë të ndërlikuar në veri të Kosovës. Kjo nuk është diçka që do të zgjidhet brenda natës”.

Analistët për çështje politike theksojnë nevojën për veprime të koordinuara në lidhje me integrimin e veriut në institucionet e shtetit të Kosovës.

Drejtori për hulumtime në Institutin KIPRED, Krenar Gashi, thotë se iniciativat në këtë drejtim duhet të merren nga ICO-ja dhe nga Qeveria e Kosovës.

“Secili hap i ngutshëm politik do të ishte fatal, meqenëse do të rezultonte me një tendosje më të madhe të raporteve ndëretnike në këtë pjesë të Kosovës”.

“Në veri të Mitrovicës dhe në përgjithësi në veri të Kosovës, nuk ka vend për zyrën e administratës së Kombeve të Bashkuara dhe se gjërat duhet t’i marrin në dorë autoritetet kosovare, përfshirë këtu si autoritet të integruar edhe misionin e EULEX-it, dhe si autoritet mbikëqyrës misionin e ICO-së”, thotë Gashi.
XS
SM
MD
LG