Ndërlidhjet

Obama e Karzai premtojnë thellim të bashkëpunimit



Presidenti Barak Obama ka vlerësuar sot “zgjerimin dhe thellimin” e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit. Obama shtoi se gjatë takimit me homologun e tij afgan, Hamid Karzai, kanë ripërsëritur qëllimin e përbashkët për të mundur Al Kaidën.

Gjatë një konference të përbashkët të dy presidentëve në Shtëpinë e Bardhë u theksua se forcat ndërkombëtare, të drejtuara nga ato amerikane, dhe trupat afgane kanë ndërruar rrjedhën e zhvillimeve duke mos lejuar forcimin e kryengritësve. Obama theksoi se do të bëhej gjithçka ishte e mundur për të mënjanuar viktimat civile të luftës.

Obama nënvizoi përparimin e shënuar në luftën kundër korrupsionit, por shtoi se “ka nevojë të bëhet më shumë”. Karzai nga ana e tij premtoi se fondet amerikane do të përdoren me kujdes të madh.

Presidenti amerikan shprehu mbështetjen e tij për përpjekjet afgane që të pranojnë pjesëtarët e talibanëve, që vendosin të heqin dorë nga dhuna.

Duke folur për tensionet e mëhershme mes tij dhe presidentit afgan, Obama shtoi se ato “ishin ekzagjeruar”.
XS
SM
MD
LG