Ndërlidhjet

"Reporterët pa Kufij": IPKO të lejojë transmetimin e TV Rrokum



“Reporterët pa Kufij” sot i kanë ripërsëritur thirrjen rrjetit transmetues IPKO që t’i ripërtrijë të drejtat e transmetimit për televizionin "Rrokum", dhe thotë se çështjen e rrjetit përgatitet ta nxjerrë në gjykatë.

IPKO e ndërpreu transmetimin e televizionit privat në 1 prill, duke u thirrur në arsye të përkohshme teknike, të cilat asnjëherë nuk janë dëshmuar, thuhet në komunikatë.

“Çdo përpjekje për të zhvilluar dialog të hapur me IPKO-n ka dështuar. Menaxhmenti asnjëherë nuk është përgjigjur në e-mail et tona apo kërkesave për intervistë me telefon. Madje nuk kmishte njohuri as për letrën tonë të fundit, të dërguar në 16 prill, 2010”, thonë "Reporterët pa Kufij".

“Kush mund të besojë se IPKO mund të kishte probleme teknike për më shumë se një vit, që e prekin vetëm një stacion televiziv. Ne tash presim vendimin e shpejtë e të pavarur nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, i cili do të sigurojë që të respektohen kushtet e kontratës”, thuhet në njoftim.

Televizioni Rrokum nënshkroi kontratë me IPKO-n në 30 prill, 2008, për të lejuar transmetimin për një periudhë pesë vjeçare.

“Reporterët pa Kufij” thonë se “hapësira për lajme të pavarura në pejsazhin mediatik të Kosovës duhet përfundimisht të mbrohet dhe të mbështetet”.
XS
SM
MD
LG