Ndërlidhjet

Feith: Tirana e Prishtina të rrisin bashkëpunimin ekonomik



Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Piter Feith, ka nisur një vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjatë ditës ai është takuar me presidentin Bamir Topi.

Presidenti Topi ka theksuar gjatë takimit se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohjet janë të pandalshme”. Topi dhe Feith kanë diskutuar për çështjet që lidhen me stabilitetin në rajon dhe proceset eurointegruese.

Feith ka vlerësuar pozitivisht “rolin konstruktiv të Shqipërisë” në rajon, por ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik mes Tiranës dhe Prishtinës. Ai ka shtuar se “rruga që lidh dy vendet është një investim i rëndësishëm historik”. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ka shprehur mirënjohjen, në emër të Kosovës, për përpjekjet e Shqipërisë në procesin e njohjes së shtetësisë së Kosovës.

“Përpjekjet profesionale të qeverisë tuaj, ne i vlerësojmë jashtëzakonisht shumë për rritjen e numrit të njohjeve të reja.” – theksoi zoti Feith.

Ky i fundit po vazhdon takimet me drejtues të tjerë të institucioneve.
XS
SM
MD
LG