Ndërlidhjet


Shtatë javë që kur janë zhvilluar procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve potencialë për specializim në Qendrën Klinike Universitare, listat me emrat e këtyre kandidatëve ende nuk janë publikuar.

Kjo ka bërë që disa nga aplikantët të dyshojnë për mundësinë e parregullsive. Besim Kastrati, njëri nga këta aplikantë, është ende në pritje.

“Kam aplikuar për specializim. Kam hyrë në intervistë dhe ajo zgjati rreth 3 minuta, që do të thotë se ka qenë shumë formale. Kjo ka ndodhur më 30 mars dhe listat ende nuk kanë dalë”, thotë Kastrati.

Ai shpjegon arsyen pse mund të ketë parregullsi:

“Tash po bëhen 7 javë që po presim. Kjo më bën të dyshoj për parregullsi, sepse kemi pritur që më së shumti për një javë të dihet se kush e ka fituar specializimin. Edhe herën e kaluar kur kam aplikuar për specializim, procedura ka qenë e njëjtë dhe nuk e kam fituar. Dhe, po dyshoj shumë që prapë do të ndodhë e njëjta gjë”.

Por, ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, thotë se karshi mekanizmave që ekzistojnë për përzgjedhjen e specializantëve, përcaktohen disa kritere, të cilat kandidati duhet t’i përmbushë për të fituar më shumë pikë. Megjithatë, edhe vetë ministri ka dyshimet e veta.

“Ne të gjithë e dimë se në këto procedura ka parregullsi, subjektivizëm, nepotizëm etj. Është evidente që ka probleme, sepse ka ankesa në konkursin e fundit të aplikantëve. Sa i përket konkursit të fundit, kemi pasur ankesa shumë nga specializantët dhe kam hetuar që diçka nuk është në rregull”, thotë ministri Bukoshi.

Ndërsa, Haxhi Kamberi, sekretar permanent në ministrinë e udhëhequr nga zoti Bukoshi, thotë se gjithçka ka shkuar sipas procedurave institucionale.

“Konkurset janë proceduar në institucione dhe u është lënë në përgjegjësi institutcioneve mbajtja e intervistimeve për përzgjedhje. Kanë ardhur disa ankesa dhe janë duke u proceduar në Ministrinë e Shëndetësisë. Do të shqyrtohen me korrektësi. Jemi duke i shqyrtuar me ministrin Bukoshi”, thekson Kamberi.

Sipas tij, ankesat dhe kërkesat e doktorëve aplikantë për specialistë janë të ekzagjeruara dhe nuk janë në interes të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ne nuk ndjekim dëshirat e specializantëve, por ndjekim politikat shëndetësore. Unë konsideroj se, në bazë të të dhënave që kemi deri tash, një pjesë e mirë e institucioneve kanë kryer një intervistim të mirë, kanë bërë një përzgjedhje të shkëlqyeshme, një punë të mirë dhe nuk e di a ka pasur shkelje”,
thotë Kamberi.

Por, ministri Bukoshi, për dallim nga zoti Kamberi, thotë se këto lista ende nuk janë shqyrtuar. Ai thotë se nuk mund të paragjykojë, por ngrit shqetësimin kryesisht te nepotizmi.

Në këtë kuadër, kjo çështje është përfolur gjatë në opinion, për shkak të dyshimeve se, siç thuhet, disa fëmijë mjekësh kanë përfituar nga pozicioni që prindërit e tyre kanë në institucionet përkatëse.

“Do të kërkojmë raport nga bordi pasi që t’i shqyrtojë ankesat. Nëse ka parregullsi, do të anulohet. Fëmijët e mjekëve, ma merr mendja që kanë pasur përparsi, por nuk përjashtohen parregullsitë. Duhet të merren masa që të ketë sanksione. Unë jam në detyrë që një muaj dhe pasi listat e specializantëve janë zvarritur tetë javë, kjo është një indikacion që diçka nuk është në rregull”,
thotë ministri Bukoshi.

Zoti Kamberi e mohon çdo parregullsi dhe, sipas tij, çdo gjë është duke shkuar në rregull.

“Ne bazë të të dhënave që kemi deri më tash, një pjesë e mirë e institucioneve ka bërë një punë të shkëlqyer. Është jokorrekte nëse fëmijët e mjekëve, vetëm pse janë fëmijë të mjekëve, mos t’i marrin specializimet”
, shprehet Kamberi.

Sidoqoftë, doktorëve që kanë aplikuar për specializim u mbetet të presin listat përfundimtare në afat të pacaktuar, edhe pse, sipas zyrtarëve shëndetësorë, këto lista është dashur të publikohen dy ditë pasi kanë përfunduar procedurat e shqyrtimit të aplikacioneve.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG