Ndërlidhjet

Intensifikohen takimet për të pagjeturit


Rashkë: Vendi ku është zbuluar varreza masive.
Rashkë: Vendi ku është zbuluar varreza masive.

Javën e ardhshme do të takohen delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë për të pagjeturit. Zbulimi i varrezës masive në Rashkë do të jetë në qendër të diskutimit, ka konfirmuar kreu i delegacionit kosovar, Pajazit Nushi.



Pak ditë pas zbulimit të varrezës masive në Rashkë të Serbisë me mbi 250 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë konfliktit të viteve 1998-1999, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit pritet të takohen javën e ardhshme. Nuk është përcaktuar as data e as vendi i takimit.

Zhvillimin e një takimi të tillë e konfirmoi kryetari i Grupit Punues për të Pagjeturit, Pajazit Nushi.

“Në fillim të javës që vjen do të kemi takim me kryetarin e delegacionit të Serbisë, për ta shqyrtuar mundësinë e fillimit të punës dhe të organizimit të punës sa më shpejt në këtë varrezë masive”, tha Nushi.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte kanë thënë se një gjyqtar hetues do t’i fillojë procedurat ligjore, që do të çojnë në zhvarrosjen e kufomave. Ndërkohë, autoritetet e Kosovës vazhdojnë të mos jenë të njoftuara zyrtarisht në lidhje me procedurat.

Nuk është njoftuar as Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, i cili ndërmjetëson takimet mes dy delegacioneve. Ky mekanizëm ka thënë se është i gatshëm t’i lehtësojë vizitat e palës kosovare në Rashkë të Serbisë, gjatë procesit të zhvarrimit të qindra trupave të pajetë, që u gjetën para disa ditësh në një varr masiv në këtë lokacion.

Zëdhënësi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Kosovë, Idriz Gashi, tha se, si ndërmjetës në bisedime, Kryqi i Kuq është i gatshëm t’i organizojë takimet e palëve.

“Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq është i gatshëm t’i fascilitojë edhe vizitat në vendin në fjalë - çështjet e vizitave të përbashkëta, sikur që ishte vizita e fundit që është bërë në lokacionin në Medvegjë”.

“Por, ne nuk mund të caktojmë ndonjë takim eventual. Kjo varet nga palët se kur merren vesh për datën, për kohën. Ne qëndrojmë të gatshëm të organizojmë një takim të tillë”
, tha Gashi.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, konfirmoi se është takuar me ekspertë serbë. Ai dha sinjale se mund të ketë edhe vizita në terren së shpejti.

“Presim të shihemi gjatë javës së ardhshme, mbase edhe në terren, në punë”
, tha Gërxhaliu.

Në anën tjetër, janë shtuar zërat që thonë se çështja e të pagjeturve duhet të diskutohet edhe në bisedimet e paralajmëruara mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarë nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit e cilësojnë këtë çështje të nivelit politik. Ndërsa, kreu i Grupit Punues për të Pagjeturit, Pajazit Nushi, tha se nuk është momenti që kjo çështje të ngrihet në nivele më të larta politike.

“Mund të ngrihet kjo çështje edhe në atë nivel, por mendoj se nuk ka nevojë të ngrihet momentalisht, derisa të marrim informacione sa më të plota për natyrën e kësaj varreze masive dhe për mënyrën e organizimit të punës, për t’i nxjerrë të gjitha mbetjet mortore prej kësaj varreze masive”, tha Nushi.

Zyrtarë të Kryqit të Kuq thonë se çdo ndihmë është e mirëseardhur për familjet e 1862 të zhdukurve. Megjithatë, zëdhënësi Idriz Gashi tha se asnjëherë nuk duhet të humbet aspekti human i takimeve për të pagjeturit.

“Mendojmë se vetëm në këtë drejtim, mund të gjenden mbetjet mortore të personave të pagjetur. Nuk mendojmë që politika i zgjidh problemet, mendojmë që politika mund të ndihmojë në gjetjen e problemeve”.

“Por, mendojmë se është mirë ta ruajmë këtë proces në suaza të aspektit humanitar, që familjet ta dinë se ku i kanë të afërmit e tyre”
, tha Gashi.

Megjithatë, edhe në Kryqin e Kuq pranojnë se një presion i politikës, në këtë rast i mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë, do t’i bëjë autoritetet në Beograd që të flasin dhe t’i identifikojnë varrezat e tjera të mundshme, ku mund të jenë bartur shqiptarët e vrarë gjatë luftës.

Por, Kryqi i Kuq thotë se edhe Prishtina duhet të sqarojë dhe të japë informacion për një numër të joshqiptarëve, që figurojnë në listën e të zhdukurve.
XS
SM
MD
LG