Ndërlidhjet

Rexhepi: Kosova nuk gjeneron krizë


Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, dhe homologia e tij maqedonase, Gordana Janullovska. Shkup, 14 maj 2010.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, dhe homologia e tij maqedonase, Gordana Janullovska. Shkup, 14 maj 2010.


Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, të premten, pas takimit me homologen e tij në Shkup, Gordana Jankullovska, deklaroi se Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të shihet si vend që gjeneron krizë dhe strehon kryerësit e aktiviteteve kriminale.

“Nuk dua të shihet Kosova nga ana e Maqedonisë si eksportuese e armëve ilegale dhe dhunës. Përkundrazi, shkëmbimi i informacioneve që i ka Maqedonia dhe na i ofron në kohën e duhur mund të ndihmojnë që të parandalojmë këtë trafikim ilegal të armëve dhe formave të tjera të kriminalitetit.”, tha ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Ai theksoi se është intensifikuar bashkëpunimi ndërkufitar mes dy vendeve fqinje – Maqedonisë dhe Kosovës, për të parandaluar aktivitetet e ndryshme të krimit të organizuar, në funksion të stabilitetit në rajon.

“Mendoj se tensionimi ose incidentet në njërin shtet, në mënyrë indirekte, reflektohen edhe në shtetin tjetër. Prandaj, nuk dua të shikohet se në Kosovë u bëhet një mikpritje grupeve kriminale. Përkundrazi, ne, si institucione të Kosovës, jemi shumë të përkushtuar për rritjen e sigurisë, për sundimin e rendit dhe të ligjit”, tha ministri Rexhepi.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, tha se me homologun e saj kosovar, Bajram Rexhepi, kanë rënë dakord për këmbimin e informacioneve shtesë për kontrollin e kufirit, si dhe evitimin e mundësive për hyrjen e armëve ilegale nga Kosova në territorin e Maqedonisë.

“Incidentet e llojit të këtillë gjithsesi krijojnë tensione dhe si të tilla nuk duhet të nënvlerësohen. Megjithatë, më duhet të theksoj se ato nuk paraqesin kërcënim për stabilitetin e vendit”, tha ministrja Jankullovska.

Lexoni edhe këtë: KFOR-i shton sigurinë në kufi me Maqedoninë

Trego komentet

XS
SM
MD
LG