Ndërlidhjet

Mitet serbe (s’)ndikuan në Kosovë


Noel Malcolm, historian anglez, gjatë ligjëratës së mbajtur në Prishtinë më 14 maj 2010
Noel Malcolm, historian anglez, gjatë ligjëratës së mbajtur në Prishtinë më 14 maj 2010

“Pavarësisht asaj që shumë shpesh njerëzit, që gjenden në krye të proceseve, janë të përzier në manipulimin e vetëdijes, ne nuk mund të pretendojmë se ata në çdo rast dinë se e vërteta e tyre është e gabuar”, tha në Prishtinë, historiani Noel Malcolm.


Pa përmendur gjendjen aktuale lidhur me raportet Kosovë - Serbi, historiani, shkrimtari dhe publicisti anglez Noel Malcolm, i cili në opinionin publik kosovar u bë i njohur me librin “Kosova - një histori e shkurtër”, u përpoq që përmes shpjegimit të funksionit të miteve në shoqëri, ndikimit të tyre në të shkruarit e historisë dhe përdorimin e miteve për qëllime politike, të tregojë origjinën e problemit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Në një ligjëratë të mbajtur në Prishtinë, Malcolm përmendi një varg mitesh të krijuara nga serbët e që, ndër të tjera, kanë ndikuar në çështjen e Kosovës.

“Këtu ka shembuj klasikë të përdorimit të historisë për qëllime politike. Pavarësisht asaj që shumë shpesh njerëzit, që gjenden në krye të proceseve janë të përzier në manipulimin e vetëdijes, ne nuk mund të pretendojmë se ata në çdo rast dinë se e vërteta e tyre është e gabuar. Ata shkruajnë atë, të cilën duan ta kenë si të vërtetë dhe kjo është një çështje tjetër”, tha Malcolm.

Kundërshtari i idesë serbe se “Kosova është djep i Serbisë”, foli për një varg mitesh që karakterizojnë zhvillimet në kuadër të historisë së dy popujve ballkanas.

Në kuadër të tyre përmendi mitin serb për “Betejën e Kosovës” dhe atë për “Eksodin e madh serb”, i cili, sipas tij, është bazuar në të dhëna të pasakta numerike për largimin e serbëve në territorin e sotëm të Hungarisë.

Nga ky mit, tha Malcolm, del në pah një paqartësi historike që ka të bëjë me popullatën që banonte atëkohë në territorin e Kosovës.

“Pra, këtu kemi një problem. Ata kishin shkruar libra se Kosova ishte zbrazur nga serbët. Serbët u larguan. Në fakt, ky ishte shpjegimi i tyre për ekzistimin e popullatës shqiptare në Kosovë - thuhet se ishte krijuar një vakuum më 1690 nga eksodi i tmerrshëm”.

“Mirëpo, duhet të kesh një popullatë atje, e cila ka nevojë të nxirret nga pengu. Duhet të pretendosh se ka një numër të konsiderueshëm të serbëve në Kosovë, përndryshe nuk ka bazë irredentizmi”,
u shpreh Malcolm.

Dëshmia më e saktë, sipas historianit anglez, qëndron në të dhënat faktike rreth origjinës së popullit shqiptar.

“Edhe pse asgjë nuk është e qartë lidhur me origjinën e shqiptarëve, balanca e të dhënave dëshmon se ata, sipas të gjitha gjasave, kanë prejardhjen nga ilirët e lashtë. Mendoj se kjo është përgjigjja më e mirë historike që mund të jepet dhe ka evidencë për të”, theksoi historiani anglez, Malcolm.

Noel Malcolm shkroi përgjatë viteve 2000-2008 një varg shkrimesh të botuara në gazetat dhe magazinat ndërkombëtare, si: “The Guardian”, “The Daily Telegraph”, “The New York Times”, për çështjet që ndërlidhen me zhvillimet në Kosovë.
XS
SM
MD
LG