Ndërlidhjet

Reflektimet e krizës greke në Kosovë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kriza ekonomike në Greqi, thonë ekspertë të ekonomisë, mund të reflektohet edhe në Kosovë, ndonëse jo në përmasa të mëdha. Sipas tyre, kriza do të vërehet në shërbimet e transportit të mallrave, remitenca dhe investime.


Pas rënies në krizë ekonomike të shtetit fqinj, Greqisë, ekspertët e çështjeve ekonomike në Prishtinë sugjerojnë autoritetet kosovare që të jenë të kujdesshme në zhvillimin e politikave ekonomike në vend.

Ata thonë se natyra e krizës në Greqi do të duhej të ishte një mësim i mirë për Kosovën se si nuk duhet të menaxhohet ekonomia e vendit. Eksperti i ekonomisë, Artan Nimani, jep më shumë hollësi:

“Greqia e cila ndodhet momentalisht në krizë, ka bartur refleksione edhe në vendet tjera, si në Gjermani, Francë dhe domosdoshmërisht do të barten edhe në vendin tonë. Ndoshta jo në përmasat e krizave ekonomike të mëdha, por realisht kjo krizë do të shpërndahet edhe në vendet tjera, por së pari do ta prekë Shqipërinë, Maqedoninë”.

Një pjesë e kësaj krize do të kalojë në Bullgari dhe nëse Maqedonia dhe Shqipëria preken nga kjo krizë, do të preket edhe Kosova”.

Pasojat nga kriza në Greqi për vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën, i kishte paralajmëruar edhe Banka Botërore. Ekspertë të vendeve të ndryshme të botës kishin porositur vendet e rajonit të kenë kujdes.

Ata kishin thënë se i vetmi sektor në Kosovë, i cili nuk rrezikohet nga kjo krizë, është ai bankar, pasi që Kosova nuk ka asnjë kredi nga ky vend.

Profesor Nimani, ndërkaq, jep më shumë hollësi se në cilët sektorë mund të reflektohet kriza e Greqisë në Kosovë:

“Kriza e Greqisë do të ndikojë në Kosovë ndoshta jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por do të ndikojë në disa nga produktet apo shërbimet që ne i kemi lidhur me Greqinë”.

“Shërbimet që Kosova i ka të lidhura nga Greqia janë transporti, nafta, produktet që Kosova i merr nga vendet e treta përmes portit të Selanikut dhe përmes korridorit të Maqedonisë”.


Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Flamur Keqa, thotë se Kosova duhet të mësojë nga kjo krizë, që e ka përfshirë Greqinë. Ai sugjeron autoritet kosovare që të mos ngarkohen me asistenca të ndryshme financiare nga mekanizmat ndërkombëtarë.

“Në këtë drejtim, Kosova është një ekonomi tjetër, ekonomia e Kosovës është një ekonomi, e cila nuk ka aq shumë marrëdhënie ekonomike financiare me shtetin grek dhe mundësitë që të ketë një ndikim më të madh në këtë drejtim janë shumë të vogla”, thotë Keqa.

Eksperti Flamur Keqa thekson se megjithatë Kosova duhet të jetë e kujdesshme karshi krizës greke. Ai shpreh mendimin se përdorimi i njëjtë i valutës nga Greqia dhe Kosova mund të ndikojë në ekonominë e Kosovës.

“Janë disa parashikime që, në aspektin valutor, kriza greke mund të ndikojë në Bashkimin Evropian, kështu që rrezikohet valuta euro; si e tillë, mund të jetë më e dobët dhe në këtë sens mund të ndikojë në ekonominë kosovare”, thekson Keqa.

Ndryshe, zyrtarët evropianë kanë ftuar për aksion të shpejtë ndihme për Greqinë e goditur nga kriza e borxheve, me qëllim të evitimit të zgjerimit të kësaj krize në vendet tjera të Bashkimit Evropian dhe atyre vendeve ku mund të reflektohet kjo krizë.
XS
SM
MD
LG