Ndërlidhjet

Koordinime pas GJND-së


Fotografi ilustruese (Pamje gjatë seancave të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës)

Fotografi ilustruese (Pamje gjatë seancave të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës)

Kosova do të ketë nevojë për një koordinim me faktorin ndërkombëtar pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë. Sipas tyre, pavarësisht mendimit që do të japë GJND-ja lidhur me pavarësinë, diplomacia kosovare duhet të jetë e gatshme të ballafaqohet me sfidat e reja, që të përshpejtohet dinamika e njohjeve dhe e anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.


Prishtina zyrtare pret të ketë një koordinim të mirë me faktorin ndërkombëtar në angazhimet diplomatike pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në funksion të shtimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, thotë se Ministria e Jashtme po bën koordinime të mira me faktorin ndërkombëtar, në mënyrë që vendimi i GJND-së të pasohet me njohje të reja.

Kosova pret që të ketë një vendim pozitiv për zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë, që të legjitimohet edhe më tej çështja e pavarësisë së saj dhe në këtë drejtim besoj se rrjedhat do të shkojnë në anën e së Drejtës Ndërkombëtare që edhe vendimi ynë ka qenë në atë drejtim”.

“Kosova është në koordinim të plotë edhe vendor edhe ndërkombëtar, jo si politikë e inercionit, por si nevojë për të pasur më shumë njohje, për të marrë pjesë në mekanizma ndërkombëtarë dhe për ta rritur imazhin e shtetit tonë”,
thekson zëvendëskryeministri Kuçi.

Vendimi i GJND-së fillimisht ishte paralajmëruar për muajin prill, më pas për muajin gusht, ndërkaq së fundit paralajmërohet si mundësi edhe një shtyrje tjetër.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se shtyrjet eventuale të dhënies së këtij mendimi, reflektojnë sidomos në procesin dhe dinamikën e njohjeve të reja.

Ndërkaq, inkurajon institucionet që të jenë gati të ballafaqohen me disa sfida, të cilat, sipas tij, në planin diplomatik po i përgatit Beogradi menjëherë pas mendimit që do të japë GJND-ja.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për çfarëdo nisme të Serbisë, si është përfolur se mund të ri-inicioj çështjen në Asamblenë e Përgjithshme e të tjera. Prandaj, mendoj se ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë shtetin, të përmbushim detyrimet tona karshi Kushtetutës dhe dokumentit të Ahtisarit, të provojmë të sensibilizojmë botën për të sjellë më shumë njohje dhe në instancë të fundit të kryejmë edhe detyrat e shtëpisë, që lidhen me ndërtimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit etj.”, thotë Gashi.

Opozita i kishte sugjeruar Qeverisë hartimin e një strategjie unike të veprimit pas vendimit të GJND-së. Aty parashihej përfshirja edhe e personaliteteve të brendshme dhe të jashtme që mund të kontribuojnë në planin diplomatik në favor të njohjeve të reja.

Mirëpo, sipas deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, kjo strategji, edhe pse e nevojshme, nuk mund të hartohet në këto rrethana politike çfarë janë aktualisht në Kosovë.

“Përfundimisht se duhet, mirëpo gjendja në të cilën ne jemi sot, nuk na premton as minimumin e mundësisë për hartimin e strategjisë”, shprehet Gjini.

Sidoqoftë, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë këshillues dhe si i tillë, është vlerësuar se nuk do të ketë efekte juridike për statusin e Kosovës.

Por, efektet vlerësohet të jenë të natyrës politike dhe do të ndikojnë në dinamikën e njohjeve të reja dhe në përfshirjen e Kosovës në kuadër të mekanizmave dhe organizatave ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG