Ndërlidhjet

logo-print

Fuere: Rritet mosbesimi ndëretnik në Maqedoni


Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ervan Fuere,

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Ervan Fuere,


Maqedonia sa më shpejt duhet ta zgjidhë kontestin rreth emrit me Greqinë sikurse dhe çështjet tjera në raportet ndëretnike, pasi zvarritja e tyre mund të ketë pasoja për aspektet e sigurisë në vend dhe rritjen e mosbesimit mes bashkësive etnike, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë, ambasadori i Bashkimit Evropian, Ervan Fuere.

“Nëse shtyhet zgjidhja e çështjes së emrit si dhe përmbushja e të gjitha reformave që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, për zhvillimin e tij ekonomik dhe stabilitetin politik, kjo gjithsesi se do të këtë ndikime negative”.

“Nuk ka dyshim se ka mungesë të klimës së mosbesimit mes bashkësive etnike dhe këtë mungesë të mosbesimit muajve të fundit e pamë në më shumë segmente. Përderisa ka klimë të pasigurisë për atë se ku po shkon vendi, atëherë sigurisht se kjo do të reflektohet negativisht edhe në raportet ndëretnike”.

“Kështu që ne vazhdojmë t’i japim mesazhe inkurajuese qeverisë për zgjidhjen e prioriteteve urgjente të vendit në drejtim të forcimit të dialogut politik dhe zbatimit të reformave”,
deklaroi ambasadori Fuere.

Duke i komentuar incidentet e fundit në brezin kufitar me Kosovën dhe aksionin e fundit të policisë që rezultoi me katër të vdekur dhe me sekuestrimin e një arsenali të madh të armëve, ambasadori Fuere tha se aksioni ka dëshmuar se vendi ka kapacitete për t’u përballur me kriminalitetin.

Sipas tij, grupet e përfshira në këtë incident kanë vetëm qëllime kriminale.

“Ajo që ndodhi në kufi është më se e qartë se bëhet fjalë për një grup njerëzish me qëllime kriminale, të cilët në zemër nuk e kanë interesin e shtetit dhe ne e përshëndesim operacionin e formave qeveritare për t’u ballafaquar me ta. Kjo tregon se këtu ka kapacitete për të bërë një gjë të tillë”.

“Njëkohësisht, ne në vazhdimësi theksojmë se Qeveria duhet t’i kushtojë më shumë përpjekje dialogut politik për krijimin e një klime më pozitive dhe të investojë në të gjitha sferat. Ka komuna të margjinalizuara pranë kufijve me Kosovën dhe Shqipërinë. Mendoj se duhet më shumë angazhim në përmirësimin e kushteve ekonomike që të ulet ndjenja e popullatës se janë të huaj në këtë shtet”, u shpreh Fuere.

Ambasadori i Bashkimit Evropian konsideroi se situatës së tashme i ka kontribuar edhe mungesa e dialogut politik dhe bojkoti i institucioneve nga ana e partive të caktuara politike.

Sipas tij, partitë duhet të lënë anash grindjet dhe mbi interesat partiake të vendosin interesat shtetërore.

“Nuk ka dyshim se kjo reflektohet negativisht. Ne disa herë i bëmë thirrje PDSH-së që të kthehet në Kuvend. Për fat të keq, ajo që tani ndodh në Parlament është pasqyrim i saj që ndodh apo nuk ndodh në mesin e liderëve të partive politike. Ata nuk takohen aq sa nevojitet. Duhet të ketë kontakte të shpeshta mes liderëve të partive politike”.

“Në çdo vend tjetër, ky është një proces normal ku liderët duhet të takohen dhe të bisedojnë për zgjidhjen e problemeve. Por, për fat të keq, ne këtu shohim grindje dhe ofendime mes partive politike, duke vënë interesat partiake mbi ato shtetërore”,
përfundoi ambasadori i Bashkimit Evropian Ervan Fuere.
XS
SM
MD
LG