Ndërlidhjet

KS debaton për zhvillimet në Kosovë


Pamje nga Këshilli i Sigurimit

Pamje nga Këshilli i Sigurimit

Nevoja për zhvillimin e bisedimeve për tema praktike në mes Kosovës e Serbisë, pritet të jetë një ndër çështjet që do të shtrohen për diskutim në seancën e së hënës për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të hënën raportin 3 mujor për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm të këtij mekanizmi.

Kërkesa për zhvillimin e bisedimeve për, siç thuhet, çështje praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pritet të ritheksohet në seancën e udhëhequr nga Libani, kryesues i radhës i Këshillit të Sigurimit.

Kërkesa për bisedime të tilla, në javët e shkuara, u bë më e zëshme edhe në Bruksel e Uashington, por ende nuk dihet koha, formati dhe akterët, të cilët eventualisht do të përfshiheshin në bisedime të tilla.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasël Gik, thotë se administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të jetë e gatshme të luajë një rol lehtësues po qe se paraqitet nevoja për një gjë të tillë.

“Me mbështetjen e Këshillit të Sigurimit, misioni mbetet i përkushtuar të lehtësojë angazhimet e të gjitha palëve për të gjetur zgjidhje praktike për çështjet që i preokupojnë të dy palët”.

“Kjo nuk ka ndryshuar dhe shohim që ka akterë të ndryshëm këtu; nuk është vetëm operacion i UNMIK-ut, por natyrisht se misioni do të jetë i gatshëm të luajë një rol aty ku mundet”,
thotë Gik.

Autoritetet në Kosovë kanë theksuar se me Serbinë do të bisedojnë vetën në nivel të barabartë - si dy shtete sovrane. Mirëpo, lidhur me bisedimet me palën kosovare, Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit është përmendur si kornizë e domosdoshme nga përfaqësues politikë në Beograd.

Sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, shpjegon:

“Mendoj se jeta e përditshme na ka vënë në pozitë për të biseduar ndërmjet vete. Sa i përket nivelit teknik, palët mund të takohen, por gjithnjë në prani të përfaqësuesve të UNMIK-ut. Përndryshe kjo nuk do të funksionojë”.

Ai shton se vendimi, siç e quajti ai, legal i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të jetë një sinjal qartësues për bisedime të tilla.

Mendimi i GJND-së, sipas paralajmërimeve të analistëve ndërkombëtarë, do t’i shërbejë diplomacisë amerikane e evropiane si nisje për një plan që synon suprimimin e rezolutës 1244.

Mirëpo, ideja për zhvillimin e një skenari të tillë mbetet si informatë e pakonfirmuar zyrtarisht. Analisti Driton Lajçi, ndërkaq, nuk hedh poshtë mundësinë për përfshirjen e mendimit të GJND-së për Kosovën në një rezolutë të re.

“Opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, edhe pse nuk është detyrues, është një fakt politik, i cili mund të konsiderohet eventualisht për të aprovuar një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit”.

“Kjo do të duhej të kishte pajtimin e të gjithë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, përfshirë edhe Rusinë, që është problematike sa i përket çështjes së Kosovës në këtë aspekt”,
vlerëson Lajçi.

Për UNMIK-un, zërat që flasin për ndryshimin e Rezolutës 12 44 mbesin spekulime. Zëdhënësi i këtij misioni, Gik, thotë se vendimi për ndryshimin e dokumentit, mbi të cilin bazohet mandati i administratës së OKB-së në Kosovë, i takon Këshillit të Sigurimit.

“Kjo është një çështje që i takon Këshillit të Sigurimit. Ne kemi dëgjuar shumë spekulime nga kënde të ndryshme deri më tani. Mendoj se të gjithë e dimë përbërjen aktuale të Këshillit të Sigurimit. Ne do të vazhdojmë të punojmë bazuar në mandatin e Këshillit të Sigurimit, mirëpo nëse ai vendos ta ndryshojë atë ne do të niseshim nga aty”, thekson Gik.

Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit ka mbetur në fuqi edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Misioni i OKB-së në Kosovë i mandatuar nga kjo rezolutë, megjithatë ka tkurrur rolin e vet pas 17 Shkurtit dhe pas hyrjes së misioneve evropiane në vend.

Sido që të jetë, 12 44-shi vlerësohet të jetë dokument që ia lehtëson Kosovës përfaqësimin në arenën ndërkombëtare - aty ku Prishtina zyrtare ende has në telashe lidhur me njohjen si shtet.
XS
SM
MD
LG