Ndërlidhjet

Irani pranon marrëveshjen


Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, dhe homologu i tij brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, dhe homologu i tij brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva.

Irani është dakorduar për marrëveshjen mbi karburantin bërthamor, pas ndërmjetësimit të udhëheqësve të Brazilit dhe Turqisë.

Marrëveshja duhet t’i heqë shqetësimet ndërkombëtare rreth ambicieve bërthamore të Iranit.

Vendet e Perëndimit druajnë se Irani synon të bëjë armë bërthamore, akuza që Teherani i mohon.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ramin Mahmanparast, tha se në bazë të marrëveshjes, Irani do ta dërgojë pjesën më të madhe të uraniumit të pasuruar në Turqi, për t’u shndërruar në uranium të shkallës së lartë, që do të përdoret në kërkime mjekësore.

Marrëveshja u arrit sot në Teheran gjatë bisedimeve ndërmjet presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula Da Silva, kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, dhe presidentit të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Jashtëm Manuher Motaki tha se detajet do të dakordohen më vonë.

Lidhur me përgjigjen pozitive ndaj grupit të Vjenës, pra, Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Francës dhe Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, detajet tjera do të elaborohen përmes dakordimit me shkrim, dhe marrëveshjes ndërmjet Iranit dhe grupit të Vjenës”, tha Motaki.

Ai tha se pjesa më e madhe e uraniumit do të procesohet në Turqi.

Republika Islamike e Iranit dakordohet të depozitojë në Turqi 1.200 kilogramë uranium të pasuruar në shkallën e ulët. Gjatë kohës sa do të ndodhet në Turqi, ky uranijum do të vazhdojë të jetë pronë e Iranit. Irani dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore mund t’ë dërgojnë vëzhgues për ta ruajtur këtë sasi të uraniumit në Turqi”, tha Motaki.

Turqia dhe Brazili, anëtarë jo të përhershëmn të Këshillit të Sigurimit, ishin deklaruar kundër sanksioneve shtesë ndaj Iranit, për shkak se Teherani dështoi ta ndalë programin e pasurimit të uraniumit.

Duke folur pas nënshkrimit të marrëveshjes me homologët nga Brazili dhe Irani, ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutogllu, tha se Turqia nuk sheh nevojë për sanksione të mëtejme kundër Iranit.

Më herët, Irani e kishte refuzuar planin e Kombeve të Bashkuara, për shkak se Teherani dëshironte që shndërrimi i karburantit të bëhet në territorin e vet. (v.p.)
XS
SM
MD
LG