Ndërlidhjet

Bisedimet teknike, para apo pas vendimit të GJND-së?



Deklaratat e zyrtarëve të Beogradit kanë lënë shumë pak hapësirë për të besuar se bisedimet për çështje teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të fillojnë së shpejti, vlerësojnë politikanë serbë të Kosovës, por edhe analistë të çështjeve politike.

Këto vlerësime vijnë pasi që, ditë më parë, Sonja Liht, kryetare e Këshillit të Politikave në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, ka thënë se nuk do të ketë bisedime në mes të Prishtinës dhe Beogradit, përpara vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Dragisha Kërstoviq, politikan serb nga veriu i Kosovës, nuk beson se mund të ketë së shpejti bisedime për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë, sepse, bazuar në deklaratat e zyrtarëve serbë, sipas tij, Beogradi zyrtar ka frikë se me bisedimet e tilla mund të krijohet përshtypja se po e pranon pavarësinë e Kosovës. Por, ai thotë se bisedimet për çështje teknike duhet të fillojnë menjëherë.

“E them në mënyrë metaforike se biseimet është dashur të fillojnë qysh dje. Do të thotë, bisedimet duhet të nisin që nesër, për një numër të çështjeve teknike, pavarësisht se nga cili aspekt apo cili pikëvështrim vështrohet deklarata e shpalljes së pavarsisë. Kjo është diçka më se e nevojshme”,
thotë Kërstoviq, për të shtuar se bisedimet e tilla do të duheshin të zhvilloheshin në një atmosferë konstruktive dhe me tolerancë.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti i çështjeve politike Behlul Beqaj, i cili thotë se bisedimet për çështje teknike janë të nevojshme të fillojnë menjëherë. Por, sipas tij, Beogradi zyrtar do të presë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për t’i krijuar vetes hapësirë për mundësi, siç i quan ai, më specifike për bisedime.

“Nëse vendimi do të jetë ambivalent, ashtu siç kemi prognozuar prej fillimit, dhe secila palë ta kuptojë këtë në mënyrën e vet, atëherë edhe mundësia e bisedave mund të jetë e karakterit specifik. Do të thotë, pala serbe do të insistoj që ta prekë, në një formë ose tjetër, çështjen e statusit. Ndërkaq, pala shqiptare do të ishte e interesuar që ta zgjidhë çdo problem që ka të bëjë me çështje të natyrës, të themi, teknike”
, thotë Beqaj.

Ai shton se, megjithëkëtë, eksistojnë probleme të natyrës teknike që ndërlidhen me aspektin juridik dhe kjo mund të sjellë situatë të komplikuar, në të cilën, sipas tij, vështirë mund të përcaktohet formati i bisedimeve.

“Për shembull, edhe çështja e të pagjeturve është një pjesë e problemit politik. Nëse flasim për dokumentet zyrtare, tabelat, për sigurimin pensional, atëherë objektivisht preket edhe sistemi juridik. S’ka dileme për këtë. Por, është me rëndësi që, eventualisht, pala kosovare nuk mund ta hapë çështjen e statusit politik dhe kushtetues. Ndërkaq, çdo element kushtetues mund të jetë pjesë e bisedës. Pra, mund të jetë prapë një situatë kontradiktore”
, thotë Beqaj.

Edhe Kërstoviq vlerëson se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të hapë mjaft çështje.

“Natyrisht se shumëçka do të varet nga vendimi i Gjyqit. Unë nuk pres kush e di se çfarë, por mund të ndodhë që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të hapë mjaft çështje dhe rrjedhimisht edhe shumë procese. Sidoqoftë, unë pres që bisedat për çështje teknike mund të organizohen edhe pas këtij vendimi, por unë mendoj se më mirë është që tash të bisedohet dhe është e nevojshme që të bisedohet, sepse problemet janë evidente”,
deklaron Kërstoviq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG