Ndërlidhjet

Ollbrajt: NATO-ja të ripërterijë premtimet



NATO duhet ta fitojë luftën në Afganistan, t'i zgjerojë lidhjet me Rusinë, t'ia dalë mbanë me kërcënimet nga raketat e Iranit dhe të garantojë sigurinë e 28 anëtarëve të vet.

Kjo thuhet në rekomandimet mbi strategjinë e ardhshme të Aleancës të hartuar nga 12 ekspertë, të kryesuar nga ish sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Ollbrajt.

“Mendoj se ka qenë plotësisht e qartë se një aleancë e shekullit të XXI-të ka nevojë të përshtatet, pasi kërcënimet janë shumë të ndryshme. Unë e quaj këtë si një “ripërtëritje të premtimeve”. NATO-ja nuk mund të lejojë që kërcënimet e shekullit të 21-të të ndajnë udhëheqësit botërorë dhe të dobësojnë vendosmërinë tonë kolektive. Është e rëndësishme në këtë fazë të kuptojmë se kush jemi dhe si do të veprojmë”, tha Ollbrajt.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen tha se rekomandimet e bëra publike sot i identifikojnë sfidat më urgjente që përballet aleanca, dhe përmbajnë propozime për ndryshime.

Propozimet do të jenë baza e diskutimeve në takimin e nëntorit në Lisbonë. ku do të miratohet “koncepti i ri strategjik” i Aleancës.

Për herë të fundit koncepti strategjik i NATO-s është riformuluar në vitin 1999. Strategjia e miratuar në atë kohë fokusohej tek misionet paqeruajtëse të NATO-s në Bosnje dhe në Kosovë.
XS
SM
MD
LG