Ndërlidhjet

Gjetja dhe zbatimi i metodave të parandalimit të rreziqeve, që thuhet se paraqet mbajtja e armëve të vogla, ishte temë boshte e diskutimit në një tryezë të mbajtur në Prishtinë. Përfaqësues të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë thanë se është arritur progres në largimin e armëve pa leje nga duart e qytetarëve, por se rreziku në këtë aspekt mbetet ende evident.


Armët pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës, që, sipas organizatave të ndryshme ndërkombëtare, llogariten të jenë rreth 300 mijë, paraqesin rrezik serioz për qytetarët.

Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, në javën globale kundër dhunës me armë, deklaruan se janë duke bërë përpjekje maksimale për eliminimin e kësaj dukurie në shoqëri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se Kosova ka bërë përparime të konsiderueshme në luftimin e kësaj dukurie, por për të arritur deri te gjendja e dëshirueshme, sipas tij, duhet ende kohë.

“Në strukturën ligjore të Kosovës ka zënë vend aspekti i sigurisë gjinore. Këtë e vërejmë në Ligjin mbi armët, i cili decidivisht mohon të drejtën e posedimit të armëve tek individët, të cilët mund të kenë ushtruar dhunë ndonjëherë në familjen e tyre”
, tha Rexhepi.

Ministri Rexhepi theksoi se deri më tani, Qeveria, në bashkëpunim me mekanizmat tjerë të sigurisë në Kosovë, ka ndërmarrë shumë iniciativa, të cilat kanë pasur për qëllim dorëzimin e armëve ilegale nga ana e qytetarëve.

Përfaqësuesja e përhershme e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara - UNDP, Osnat Lubrani, tha se në rastet kur ka dhunë në familje, duhet të shikohet se a kanë qenë të përfshira armët.

Sipas saj, kjo është një metodë, e cila do t’i lehtësonte përpjekjet e mekanizmave përgjegjës kundër mbajtjes së armëve nëpër shtëpi, por edhe kundër dhunës në familje.

“Duhet të vazhdojmë të kërkojmë strategji që funksionojnë. Çka funksionon, si mund të shohim rezultate dhe si mund t’i bëjmë më mirë gjërat... Nëse Kosova synon të merret me problemin e ekzistimit të armëve dhe ta trajtojë këtë në mënyrë legale, ka një mënyrë për ta bërë këtë pa e përfshirë dhunën në familje. Mirëpo, ka një mënyrë që me të vërtetë të parandalohet dhuna në familje”, u shpreh Lubani.

Ndërsa, ambasadori i Holandës në Kosovë, Henk Voskamp, tha se të gjithë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që t’i largojnë armët nga duart e qytetarëve.

“Në këtë drejtim, të gjithë këtu kemi përgjegjësi: bashkësia ndërkombëtare në përkushtimin për ta mbështetur Kosovën në adresimin e këtyre çështjeve, qytetarët e thjeshtë dhe shoqëria civile, sepse vetëm me presionin e tyre mund ta ndryshojmë këtë shtet. Natyrisht se këtu ka një rol edhe qeveria, edhe parlamenti. Nuk duhet të flasim vetëm për miratimin e legjislacionit, por duhet gjithashtu të merremi me zbatimin efektiv”, u shpreh diplomati holandez.

Në anën tjetër, sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se posedimi i armëve është më shumë i përhapur në zonat rurale e ato kufitare dhe shumë njerëz e konsiderojnë këtë legjitime, duke pasur parasysh nivelin e perceptimit të pasigurisë në ato lokalitete.

Që nga paslufta, në Kosovë, policia vendore dhe ajo e UNMIK-ut, përfshirë edhe paqeruajtësit e KFOR-it, kanë konfiskuar rreth 19.965 armë të lehta dhe armë brezi.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG