Ndërlidhjet

logo-print

Prishtinë: Nuk duan rol të ri të UNMIK-ut


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

UNMIK-u nuk mund të marrë mandate të reja ndërmjetësimi në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd nga Këshilli i Sigurimit, thonë përfaqësuesit politikë të Kosovës. Deklaratat e tyre vijnë pak orë para fillimit të seancës së rregullt për Kosovën, që mbahet në Nju Jork, ku pritet që Kosova dhe Serbia të përfaqësohen në nivel të ministrave të jashtëm.



UNMIK-u dhe Rezoluta 1244, ndonëse janë në fuqi, nuk përkojnë aspak me realitetin e ri në Kosovë, vlerësojnë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Përderisa Rezoluta 1244 mbetet në fuqi, ata mbështesin pjesëmarrjen e Kosovës në sesionet e rregullta të Këshillit të Sigurimit, si pjesë e prezantimit të pozicionit kosovar para faktorit ndërkombëtar.

Ndërkaq, e përjashtojnë mundësinë që misioni i UNMIK-ut të marrë ndonjë rol të ri, qoftë ai edhe i ndërmjetësimit në bisedimet e ardhshme, të cilësuara si teknike, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se roli i UNMIK-ut është i zbehur dhe i tejkaluar në Kosovën e pavarur dhe se ky mision nuk mund të ngarkohet me mandate të reja.

“UNMIK-u nuk mund të ketë rol ndërmjetësues. Ne tashmë të gjithë e dimë se roli i UNMIK-ut është në zbehje, drejt zhbërjes përfundimtare. Rezoluta 1244 në praktikë dhe de fakto është e tejkaluar, mirëpo komunikimi me Këshillin e Sigurimit të OKB-së është në interes të Kosovës dhe do të vazhdojë edhe më tutje”, thotë Manaj.

Kosova dhe Serbia, nënvizon Manaj, mund të bisedojnë edhe drejtpërdrejt në nivele të larta politike si dy shtete të barabarta, për të gjitha çështjet që vlerësohen në interesin reciprok të të dyja vendeve fqinje.

Pjesëmarrja e Kosovës në seancat e Këshillit të Sigurimit shihet si e rëndësishme edhe nga opozita. Kurse, paralajmërimet se UNMIK-u mund të ngarkohet me mandat të ndërmjetësimit në komunikimet Prishtinë – Beograd, sipas deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, janë reflektim i ngecjeve të brendshme në Kosovë.

“Nëse në Kosovë do të kishim sundim të ligjit, nëse do ta kishim situatën, në të cilën do të ndiheshim sigurt për sistemin e arsimit, ekonominë, e të gjitha aspektet tjera të jetës, atëherë edhe raportimet do të ishin shumë më të lehta dhe do të humbnin në relevancë dhe Kosova do të shihej për atë që ndërton për qytetarët e vet, e jo me taktikat e përfaqësimit në OKB”, thotë Gjini.

Ndërkohë, nënkryetari dhe deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, thotë se institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë nga Këshilli i Sigurimit që t’i japë fund Rezolutës 1244, si dhe të kërkojnë nga UNMIK-u që ta mbyllë edhe zyrtarisht misionin në Kosovë, të cilin ai nuk e sheh të denjë për të udhëhequr procese të tjera, qoftë edhe të ndërmjetësimit apo lehtësimit të bisedimeve me Serbinë.

“Ëshët koha e fundit që UNMIK-u të mos përzihet në çështjet e brendshme të Kosovës. Sa u përket bisedave të mundshme midis të Kosovës dhe Serbisë, kusht për negociata do të ishte në radhë të parë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Edhe të ashtuquajturat biseda teknike që përfliten, zakonisht ndodhin pas pajtimeve dhe marrëveshjeve politike ndërshtetërore”
, thekson Makolli.

Në anën tjetër, serbët e Kosovës e shohin në mënyra të ndryshme fatin e Rezolutës 1244. Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb në Graçanicë, thotë se Kosova ka ngritur institucionet e saj të pavarura nga Serbia nën mandatin e kësaj rezolute, pavarësisht se ajo e parasheh Kosovën si pjesë të shtetit serb.

“Vazhdimësia e UNMIK-ut, apo misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, nga perspektiva e ndërtimit të institucioneve ë Kosovës dhe pozicionit të serbëve, mendoj se nuk kemi pse të jemi të kënaqur me të dhe se roli i UNMIK-ut gati se është inekzistent”,
thotë Trajkoviq.

Ndërkaq, Milan Ivanoviq, njëri nga liderët e serbëve të veriut, thotë se problemi qëndron te moszbatimi i Rezolutës 1244.

“Duhet riafirmuar Rezolutën 1244 dhe rifuqizuar UNMIK-un dhe duhet shuar në anën tjetër misionin e EULEX-it, i cili punon sipas Planit të Ahtisarit dhe si i tillë është ilegal”, thotë Ivanoviq.

Sidoqoftë, mbetja në fuqi e Rezolutës 1244 shihet ekskluzivisht si pjesë e kompromiseve ndërkombëtare me Rusinë, si shtet anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit që kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Andaj, përderisa të mos ketë një ndryshim pozicionesh ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe të mos shtohet numri i njohjeve që do t’ia mundësonte Kosovës anëtarësimin në OKB, lidershipi në Kosovë nuk sheh shumë mundësi për shfuqizimin e 1244-shit, pavarësisht se konsiderohet si një Rezolutë e tejkaluar për rrethanat e reja.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG