Ndërlidhjet

OKB: SHBA thotë se statusi i Kosovës dhe kufijtë janë zgjidhur


Kosova nuk do të pranoj negociata të reja për status, tha ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Nuk do të ketë negociata të reja për statusin e Kosovës, pasi kjo çështje ka përfunduar”, tha ministri Hyseni në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Mëtutje, ai theksoi se “nuk do të ketë biseda për ndarjen e Kosovës, kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Hyseni dhe shtoi se “çdoherë mund të ketë biseda dhe diskutime ndërmjet shteteve fqinje”.

Këto qëndrime të ministrit Hyseni i ka mbështetur zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Brooke Anderson, duke thënë se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” dhe se “ndarja nuk është e pranueshme”. Ajo vlerësoi se “statusi i Kosovës dhe kufijtë janë zgjidhur”.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, theksoi se qeveria e Serbisë kurrë nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, vendimi i ardhshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të krijoj një “mundësi të paprecedente” për kompromis ndërmjet serbëve e shqiptarëve.

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, në këtë mbledhje deklaroi se situata e përgjithshme në Kosovë është edhe mëtutje stabile, por mbetet potencialisht e ndjeshme.

“Mungesa e pajtimit ndërmjet bashkësive edhe mëtutje është sfidë, e cila është përforcfuar me vështirësitë ekonomike”, tha ai.

Sipas tij, “me ndihmën e UNMIK-ut, Beogradi dhe Prishtina, vazhdojnë të kenë kontakte lidhur me personat e pagjetur dhe çështjet fetare”.

Zanier tha se UNMIK-u edhe mëtutje luan rol neutral ndaj statusit të Kosovës dhe mban kontakte me Serbinë dhe Kosovën.
XS
SM
MD
LG